Së fundmi, ajo solli për publikun baladën e ndjerë “Si dielli hanën”, me të cilën u prezantua në Kënga Magjike. Por të gjithë e mbajmë mend këngëtaren Festina Mejzini dhe performancat e saj të fuqishme në “X-Factor”. Ajo vjen nga një familje artistësh dhe sikurse tregon në një intervistë për Shije.al, ndihet me fat që është rritur në një mjedis, ku muzika ka qenë gjithmonë e pranishme.
Sikurse Festina na tregon, për momentin është vendosur në Tiranë, ndërkohë që fundjavave udhëton tek familja në Gjakovë. Por cilat janë planet e saj të ardhshme muzikore? Si është raporti i saj me ushqimin? Çfarë gatuan më shumë? Të gjithë i këto zbuloni në intervistën e mëposhtme të këngëtares për Shije.al.
Madje, ajo ndan me ne edhe një recetë tradicionale nga Gjakova.

Vjen nga një familje artistësh, por na trego pak si ka nisur rrugëtimi yt në fushën e muzikës?

Jam me fat që jam rritur me një familje ku gjithmonë muzika ka qenë e pranishme, të them të drejtën rrugëtimi im ka nisur që në moshën 15 vjeç. Në atë kohë jetoja në Suedi dhe në fakt ka qenë zysha ime atje që e dëgjoi zërin tim krejt papritur në një park lojrash duke kenduar këngën “Zemrën e lam peng” dhe më tha: “O Zot çfarë zëri, ti duhesh të marrësh pjesë në programin e shkollës sivjet dhe të këndosh po këtë këngë. Mua mu duk një reagim i çuditshëm, një gjë që nuk ma kishte thënë kush deri atëherë. Dola para mbledhjes se prindërve e këndova, edhe pse në gjuhën shqipe, publiku u emocionua shumë. Kur u ktheva në Kosovë filluan të afërmit, shoqëria të më thonë të njëjtat fjalë. Prisja me padurim të organizohej një kompeticion për talentet e reja dhe ta provoja veten njëherë në Shqiperi. Ishte X-Factor kapitulli im i parë i ditarit tim artistik. Sa për kureshtje, pas 7 viteve zysha ime nga Suedia, Sussane Nysten, pas performancës time në RTSH më ka shkruajtur, duke ndarë ndjenjën e lumturisë për suksesin tim me mësuesit e tjerë që janë atje.

Së fundmi, u prezantuat në Kënga Magjike me një baladë të fuqishme “Si dielli hanën”. Kur do t’ju shohim sërish me ndonjë projekt të ri muzikor?

Kënga ‘Si dielli hanën’ u prit shumë mirë, edhe pse pas një shkëputjeje për shkak të  angazhimeve në universitet. Shpresoj që tani pas përfundimit të studimeve të kem kohë me shumë që t’i përkushtohem muzikës dhe ndonjë projekti të ri.

Me çfarë po merreni momentalisht?

Pas daljes time në festivalet e fundit, jam kontaktuar nga disa kompozitorë për bashkëpunime. Ndër ta është dhe një producent i njohur nga Suedia, i cili më ka dërguar disa materiale dhe më ka ftuar që të bashkëpunojmë. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit, mund të shkoj atje të bëjë edhe regjistrimin e materialit.

Na trego pak si është Festina në jetën e përditshme...

Jam e sinqertë dhe e edukuar që të jem e drejtpërdrejtë. Ndoshta për botën e muzikës sot në viset shqiptare mund të dukesh si e papërshtatshme, por ja që nuk mund të ndërrojë karakter. Gjithnjë haptas do e shfaq mendimin tim. Jam tip sportiv që jam marr dikur aktivisht me basketboll. Sot kjo më mungon pak, pasi nuk kisha shumë kohë të lirë për t’u marr me këtë sport, ndërkohë kam shfrytëzuar pushimet e dimrit për t’ju përkushtuar hobit tim, skive. Më pëlqen të udhëtojë dhe po planifikojë që masterin ta ndjekë në ndonjë vend të Skandinavisë, atje ku eksperienca për profilin tim të studimeve është më e mira.

Momentalisht jeton në Gjakovë apo Tiranë?

Kam më shumë se 3 vite që jetoj në Tiranë, gjatë fundjavave shkoj në Gjakovë, sepse atje kam familjen dhe të afërmit.

Të ndalemi pak tek raporti yt me ushqimin. Të pëlqen të gatuash?

Ushqimi tradicional më pëlqen shumë, pasi më mungon sidomos në kohën  e studimeve. Të gatuaj kam filluar si studente më shumë, pasi që kur isha në Gjakove nuk mund të merrja guximi të konkuroja me mamin, e cila gatuan për mrekulli, sidomos ëmbëlsirave nuk i rezistojë dot.

Çfarë gatuan zakonisht dhe cila është pjata jote e preferuar?

Nga ushqimet e huaja më pëlqen ushqimi Italian. I adhuroj spageti bolonjeze dhe këto janë që di të përgatis më mirë. Përsa i përket ëmblsirave më pëlqen të gatuaj muffins me krem, dhe muchmalloë kek.

Ushqimi që nuk do të të mërzitej kurrë edhe nëse do ta haje shpesh?

Është peshku dhe mbetet gjithmonë peshku, sidomos ai i detit.

Raporti yt me dietat dhe palestrën?

Nuk jam tip shumë i palestrës. Preferoj më shumë aktivitete sportive: basketboll, ski, notin, etj. Dietat janë strikte, prandaj nuk i preferoj. Zakonisht verës mundohem të ushqehem me ushqim më të lehtë, shumë pak ose nuk e perdor fare mishin e kuq.

Mund të ndash me ne një recetë tradicionale të vendlindjes tënde?

Tava me domate, është tamam tradicionale e Gjakovës dhe më poshtë keni recetën.
Për tavë me domate për 4 persona:
Përbërësit:
½ kg mish viçi
1kg domate
1 patëllxhan
4 qepë
3 speca
2 karrota
200 gr bamje
1 patate
Përgatitja:
Grihen 4 qepë, bashkë me mishin e prerë për 4 persona fërgohen, shtohen specat, karrota, patëllxhani, bamjet, patatja e grirë dhe në fund domatet e grira. Shtohet një lugë e mesme kripë (apo sipas deshirës), vegetë (miks i erzave të bluara), piper i zi (sipas dëshirës), piper i kuq 1 lug e mesme lihen për 10 min në zjarr. Pasi ti kemi përzier të gjitha në temperaturë, e largojmë nga zjarri dhe nga tenxhereja. Të gjitha i hedhim në një tavë dheu. Pastaj tavën e vendosim në furrë në pjesën e poshtme, në temperaturë 250 gradë për 1 orë (por kohë pas kohë duke e përzier deri sa të shteron lengu dhe vë shtresën e pjekur sipër).

Intervistoi: Sidorela Lepri