Shija e koriandrës është shumë ‘përçarëse’ për një barishte. Kjo do të thotë që njerëzit ose e duan atë, ose nuk mund ta durojnë dot si shije, o njëra, o tjetra. Julia Child e ka shprehur hapur në një intervistë të vitit 2002 me Larry King, kur ajo e pranoi se e urrente koriandrën, duke thënë se ka një "shije të vdekur".

Të tjerë thonë se ajo lë një shije si sapun në gojë. Por ka më shumë se një arsye për të mos e pëlqyer koriandrën se sa shija e bezdisur: kjo arsye është biologjike.
Është në gjenet tuaja
Po çfarë është ky fenomen i veçantë? Sipas një studimi gjenetik nga shkencëtarët në Universitetin Cornell, ka një gjen shumë të veçantë që i bën disa njerëz ta pëlqejnë më shumë shijen e koriandrës. Pas anketimit të rreth 30 mijë njerëzve, shkencëtarët veçuan gjenin ‘OR6A2’, që është kodi për receptorët të cilët mbledhin aromën e kimikateve “aldehyde” - këto kimikate janë gjetur te koriandra dhe sapuni.
Kjo është arsyeja pse shumë njerëz me shaka e krahasojnë shijen me atë të sapunit.
Si ndikon kjo?
Kjo arsye është vlerësuar se ndikon rreth 4 deri 14 për qind të popullsisë së përgjithshme, raporton ‘New York Daily News’. Kjo urrejtje është më e zakonshme në disa raca dhe etni të ndryshme, në krahasim me disa të tjera. Një studim i mëparshëm tregoi se shijen e koriandrës nuk e duronin dot rreth 21 për qind e aziatikëve, 17 për qind e njerëzve me origjinë evropiane dhe 14 për qind e individëve me prejardhje afrikane.

Ndërkohë, kjo përqindje ishte vetëm 3 për aziatikët e Jugut, amerikanët latinë dhe njerëzit nga Lindja e Mesme. Megjithatë perceptimi mund të ndryshojë, sipas Nicholas Eriksson, autori kryesor i studimit të lartpërmendur. Eriksson rekomandon që t’i shtypni gjethet para konsumit (duke e bërë pesto ndoshta), që nga barishtet të dalin enzimat që i japin atë shijen e sapunit.