Së fundmi, ajo interpreton rolin e personazhit kryesor në filmin “Ti mund të më quash Xhon”, i cili është duke u transmetuar momentalisht në kinema. Paralelisht Nevina Shtyllën e shohim nga e hëna në të premte në ekranin e “Vizion Plus” në emisionin “Next” që ajo moderon. Por si erdhi ky rol për të? Midis televizionit dhe aktrimit, ku e sheh ajo veten në të ardhmen? Të gjithë këto detaje, moderatorja simpatike i tregon në intervistën e mëposhtme për “Shije.al”. Më tej, Nevina rrëfen edhe për raportin e saj me ushqimin, dietat dhe receta që gatuan më shpesh.
Në kinema është duke u transmetuar filmi ku ti luan rolin kryesor “Ti mund të më quash Xhon”. Na trego disa detaje më shumë...

Filmi “Ti mund të më quash Xhon” është një prodhim i “Papadhimitri Production” në bashkëpunim me TVSH-në që sjell një histori dashurie nga ato të prekurat shumë në ditët e sotme, ku vlerësohet më tepër ana materiale dhe statusi, sesa vet ndjenja. Nga kjo histori shtrohen më pas konflikte të tjera si sherret në familje, droga, marrëdhëniet midis të rinjve dhe problematikat e ndryshme në shkollë. Tek ky film e them me siguri se gjithkush do mund të gjejë veten.

Si e gjete veten në këtë film, në petkun e personazhit që interpreton?

Do të thoja se ishte thjesht çështje fati. Studio prodhuese ishte prej kohësh në kërkim të vajzës së duhur për rolin kryesor. Në fakt u provuan mbi 150 vajza e ndaj them se ndihem me të vërtetë me fat që kjo mundësi erdhi tek unë. Ishte pikërisht Ardi Asllani që më sugjeroi të bëja një provë dhe ja që e gjitha ia vlejti, duke qenë se vetëm 2 ditë pas audicionit unë u njoftova se isha vajza e përzgjedhur.

Momentalisht ti prezanton edhe emisionin “Next” në Vizion Plus. Nëse do të hiqnim paralele midis kinematografisë, prezantimit dhe modelingut, ku e gjen më shumë veten dhe ndihesh më komode?

Unë gjithmonë e kam theksuar se nuk jam një modele. Pozimi për foto, apo sfilata janë diçka që unë e bëj vetëm aty ku jam e bindur se ia vlen vërtet, si në rastin e bashkëpunimit tim prej vitesh me “Frida Xhoi & Xhei” që të them të drejtën tashmë mund ta konsideroj madje një miqësi të mirë, pasi Frida është një nga ata njerëz që më ka mbështetur shumë gjatë gjithë kësaj kohe. Ndërkohë moderimi është diçka që unë e dua dhe shpresoj ta bëj gjithmonë, sepse aty e ndjej veten shumë komode. Aktrimi nga ana tjetër është një pasion i ri për mua që deri tani ka marrë një drejtim shumë të mirë dhe është i mbushur me mundësi të reja, të cilat sigurisht do i shfrytëzoj në maksimum.

Me çfarë projektesh je duke u marrë momentalisht?

Aktualisht kam shumë projekte në duar. Përpos “Next” dhe sezonit të ri veror, jam duke bërë edhe përgatitjet e nevojshme për sezonin pasues. Edhe në fushën e aktrimit do të ketë të reja, por nuk dua ende të zbuloj shumë detaje. Gjithçka do t’i mbetet kohës.

Të shkëputemi pak nga karriera. Si është një ditë e Nevinës?

Ditët e mia, sidomos gjatë kësaj periudhe, janë shumë të ngarkuara. Duhet të kombinoj në mënyrën më të mirë të mundshme punën në “Vizion Plus”, shkollën, punën në studio, projektet e tjera që kam marrë përsipër dhe palestrën. Kohën e lirë që më mbetet ia dedikoj gjithmonë familjes dhe shoqërisë. Këtu arrij të gjej gjithmonë atë qetësinë dhe çlodhjen aq të nevojshme. Por ky është një stil jete që unë e pëlqej. Më pëlqen të jem gjithnjë e karikuar dhe aktive.

Si është raporti yt me ushqimin? Të pëlqen më shumë të gatuash apo thjesht të shijosh gatimet e ndryshme?

Unë e kam deklaruar prej kohësh që gatimi nuk është pasioni im më i madh. Më pëlqen shumë ta shijoj, por rrallë herë jam unë ajo që e përgatis. Kontributi im është të ndihmoj në pastrimin e tavolinës në përfundim. Megjithatë, më kanë thënë se atëherë kur gatuaj, kur vjen kjo ditë e bekuar (qesh) recetat e mia janë me të vërtetë të shijshme. Preferoj të marr kohën e duhur për përgatitjen e gjithçkaje e prandaj ritmi i ditës sime nuk më lejon të jem shpeshherë pjesë e përgatitjes së vakteve në shtëpi.

Ushqimi që nuk do të mërzitej edhe nëse do ta haje shumë shpesh?

Fast- food-et janë sëmundja e ditëve të sotme, por edhe përse nuk na mërziten dhe aq kollaj prapë mbeten shumë të dëmshme. Fatkeqësisht edhe unë kam rënë pre e tyre, edhe patatet e skuqura, (french fries) me ketchup janë të preferuarat e mia. Kam përshtypjen se do të më duhet një terapi intensive të ndahem prej tyre përfundimisht. Koha e ka vërtetuar se vetë e kam shumë të vështirë (qesh).

Ushqim tradicional apo modern?

Të dy janë të preferuara për mua edhe përse tek tradicionalet, shijet e mia janë pak tekanjoze, por të njëjtën gjë do të thoja edhe për shumë gatime moderne. Çuditërisht jam bërë një fanse e madhe e sushit. Në fillim nuk më ka pëlqyer aspak, por me kalimim e kohës mësova ta dashuroj dhe tani e konsumoj shpesh. Për më tepër është edhe një lloj ushqimi shumë i shëndetshëm.

Të pëlqen të hash më shumë në shtëpi apo në restorante?

Sërisht të dyja i preferoj. Në shtëpi gjen më tepër rehati dhe aty të pret gjithnjë familja. Ndërsa restorantet shpesh mund të konsiderohen edhe thjesht si një zgjidhje e shpejtë.

Të shohim gjithmonë në formë. Merresh me palestër apo ushtron ndonjë aktivitet sportiv në veçanti?

Sikurse e thashë dhe më parë, frekuentoj palestrën, por them se dhe nëse nuk do të ishte palestra, do të më mjaftonin edhe lëvizjet e shumta dhe aktiviteti gjatë gjithë ditës. Palestra është një vend edhe gjysmë relaksues për mua, pasi arrin të largojë edhe ndonjë energji negative që mund të marr gjatë orëve të paradites.

Dhe së fundmi, a mund të ndani me lexuesit tanë një recetë tuajën të preferuar?

Një nga recetat e mia të preferuara, që në fakt unë e kam huazuar nga një prej mikeshave të mia, është byreku me pulë, pana e kërpudha. Erëzat nuk mungojnë asnjëherë. Por edhe vetë unë kam krijuar një formë të këtij gatimi përshtatur me shijen time personale. Ndaj secili mund të eksperimentojë vetë si të ketë dëshirë me këta ingredientë, ose edhe të shtojë të tjerë, pse jo.

Intervistoi: Sidorela Lepri