Doni të dini se si bëheshin ëmbëlsirat tradicionale për gra e çilimij? Dikur quheshin karkanaqe, gurabie, kullure, biskota, tregon Dhurata Thanasi Daneri e “Luga e Argjendtë”. Ja çfarë thotë ajo: “Karkanaqe, gurabie, kullure, biskota. Këto janë emrat me të cilët shqiptarët kanë quajtur këtë ëmbëlsirë të gatuar me atoçka u gjendeshin në "magjé" apo dollapë. Ishte ëmbëlsirë që gatuhej për t'u konsumuar nga fëmijët ose si shoqëruese e kafesë alla turka kur gratë, vajzat apo gjyshet mblidheshin për “të bërë PAK muhabet”.

Kohë më parë, gjatë konsumimit të ritit të kafesë, kulluret nuk u ofroheshin burrave. Quhej “ëmbëlsirë për gra e çilimij”. Forma e saj kryesisht ishte e rrumbullakët dhe formohej me dorë. Përmasat varionin nga ato me diametër 2-3 cm deri ne 10 cm. Në përgjithësi përmasat e vogla u jepeshin gurabijeve që shoqëronin kafet apo çajet. Është një ëmbëlsirë përbërësit e së cilës mund të gjenden lehtësisht nëpër shtëpitë tona ose në minimarketin poshtë pallatit. Dhe ato janë:miell, sheqer, kos, vezë, vaj/gjalpë, vanilje, pak kripë. Dikur amvisat aromatizonin gurabitë me liker limoni apo vishnjeje. Gatuar nga Ejona Varangu aka @mandarinayum Kafeja alla turka nga Kafe Mehmeti #myfoto #rroftëtraditashqiptare”, - shkruan Dhurata Thanasi Daneri.