E mbani mend se sa kushtonin bamjet në javën e parë të muajit maj? Po qershitë, pjepri apo edhe frutat e tjera që nisin të pushtojnë tregjet? Duke parë dhe krahasuar të dhënat që vijnë nga listat zyrtare të tregut me shumicë të Fruta-Perimeve në Lushnjë, duket se situata është përmirësuar, duke sjellë ulje të mëdha në çmime, si asnjëherë më parë.

Rënia e çmimit që nisi në mes të muajit maj, po vazhdon edhe këtë fillim muaji. Të dhënat nga Lushnja flasin për perime si bamja, panxhari, hudhra e njomë dhe hudhra e thatë me ulje në çmim. Surprizë është bamja, çmimi i të cilave varion 300-400 lekë/kg, kur në fakt ky produkt tregtohej me 700-800 lekë/kg gjatë 2 javëve të kaluara.

Çmimi i produkteve të tjera ka mbetur i pandryshuar në krahasim me javën e shkuar. Për sa i përket frutave ulje në çmim ka shënuar qershia, luleshtrydhet dhe pjepri. Por edhe arrat kanë shënuar ulje në çmim pasi tani tregtohen me 600 lekë/kg në krahasim me 800 lekë/kg që ishin para dy javësh.