Një treg i ri po lulëzon në rajonin juglindor për prodhimin e njohur të mollës, por pavarësisht kësaj, një problem mbetet standardizimi i prodhimit. Mollët e Korçës nuk shiten vetëm në Greqi, Bullgari e Maqedoni, por synohen edhe tregjet në Egjipt dhe Arabinë Saudite. “Vazhdimisht jemi kontaktuar nga firma të cilat kërkojnë të blejnë mollë. Interesi është në rritje. Ne, pasi njihemi me kërkesat e tyre, i orientojmë te fermerët e licencuar apo te frigoriferët kjo pasi fermerët e tjerë nuk përmbushin dot detyrimin për faturën e cila duhet të shoqërojë mallin për eksport.

Pavarësisht kësaj ne e shohim si diçka tepër pozitive dhe rëndësi ka që ky treg të rritet. Prej disa vitesh ne jemi përqendruar te tregu i Egjiptit dhe Arabisë Saudite dhe rezulton se ai është duke u rritur. Kemi lobuar fort për këtë gjë nëpër panaire, konferenca e takime ndërkombëtare dhe kanë dhënë rezultat pozitiv. Ne jemi duke orientuar fermerët që të rrisin standardin, pasi ky treg është i favorshëm për zhvilimin e ekonomisë së tyre,” -shprehet për “Panorama” drejtori i Bujqësisë për Korçën, Vullnet Gjolla. Gjatë sezonit të kaluar janë eksportuar 2 400 ton mollë për përpunim industrial dhe rreth 1 000 të tjera për konsum.