Blogjet janë një prej trendeve të momentit në të gjithë botën, por një i tillë me fokus verën duket edhe më interesant. Mesa duket “Vindipendent”, krijuar nga somelieri i njohur shqiptar, Fation Tila, ka fatin të jetë i pari blog shqiptar i dedikuar tërësisht verës, dashurisë për të, proçeseve të degustimit si dhe plot informacione të tjera rreth kësaj fushe.
Por si lindi ideja e këtij blogu? Kush është Fationi, për të gjithë ata që nuk e njohin, dhe cilat janë eksperiencat e këtij si sommelier? Çfarë e dallon një verë të mirë nga një tjetër? Si duhet të serviret?
Të gjitha këto dhe jo vetëm, do t’i mësoni në intervistën e mëposhtme dhënë ekskluzivisht për shije.al.

Përse një blog për verën?

Ideja e blogut më ka lindur shumë natyrshëm sepse lidhet me dëshirën time që të ndaj këtë pasion të bukur, eksperiencën e këtyre viteve, informacionet dhe degustimet ose pse jo, edhe një udhëtim në një zonë ku prodhohet verë me të gjithë ata që kanë këtë pasion. Por nuk është vetëm kjo arsyeja. Këto vitet e fundit kam vënë re që rritjes së vazhdueshme të konsumit të verës në Shqipëri nuk i korrespondon një informacion bazë i përgjithshëm mbi verën, llojet e saj, shërbimin dhe përshtatjen me ushqimin. “Vindipendent” besoj që do ta kryejë shumë mirë këtë funksion.

“Vindipendent” sapo ka lindur dhe duket në rritje dita-ditës, ndërkohë që kushdo ka diçka për të mësuar përmes rreshtave që ju shkruani plot dashuri, duke i shoqëruar edhe me doza humori. Mund të na tregoni disa detaje më shumë të “rrugëtimit” tuaj të ri?

Jam shumë i gëzuar për mënyren sesi është pritur blogu. Në vetëm tre muaj ka arritur gati 3500 ndjekës dhe është një rezultat shumë i mirë. Kjo tregon që njerëzit kanë shumë kuriozitet mbi verën dhe e ndjenin mungesën e një platforme të tillë. Sfida më e madhe ishte të provoja veten duke shkruar dhe të gjeja një “stil” timin të themi. Nuk e dija sesi do të pritej mënyra ime e të dhënit informacione profesionale me një gjuhe të thjeshtë dhe gazmore.Për momentin them që artikujt janë pritur shumë mirë si nga kolegët sommelierë, miqtë, por edhe nga ndjekësit, të cilët më kanë përgëzuar si në komente, ashtu edhe në inbox.

E teksa ju na tregoni për “Vindipendent”, a mund të njihen lexuesit tanë më shumë me Fationin?

Po, sigurisht. Jam 35 vjeç dhe single (qesh). Jam nga Durrësi, por jetoj në Itali prej gati 14 vitesh. Ashtu si shumica e studentëve më është dashur të punoj gjatë universitetit dhe kam punuar si barist për disa vite, pastaj shërbim në sallë, ku fillova të njihja shumë verëra të ndryshme të zonës, por edhe nga e gjithë Italia. Kështu fillova të apasionohem. Dëshira për të njohur më shumë verën dhe të dija të shpjegoja ndjesitë që më jepte, pse më pëlqente më shumë një verë ose një tjetër, më bënë fillimisht të frekuentoj një kurs dyvjeçar për sommelier. Me kohën pasioni u bë edhe më i madh. Fillova të vizitoj zona të rëndësishme ku prodhohet vera brenda dhe jashtë Italisë. Më pas fillova të bëj shumë degustime dhe të ndaja eksperiencën me kolegë dhe miq të rinj, me të cilët bota e verës më kishte prezantuar, sepse kjo është një nga magjitë e tjera të verës: krijon situata, miqësi, argëtim dhe rritje intelektuale.
Në vitin 2015 bëhem pjesë e Organizatës Shqiptare të Sommelerisë (O.SH.S.) dhe në fund të po atij viti fitoj konkursin “Sommelieri më i mirë shqiptar 2015”. Eksperiencë shumë domethënëse të njoh shumë të rinj shqiptarë që kanë të njëjtin pasion timin dhe me shumë prej tyre sot jemi miq dhe mblidhemi për degustime të ndryshme.
Duke u shpallur kampion mua m’u dha mundësia të përfaqësoj Shqipërinë në Konkursin Botëror që u zhvillua në prill në vitin 2016 në Mendoza, Argjentinë. Eksperiencë unike! Nga ana profesionale pas një eksperience disa muajshe tek “Il Desco në Verona” (restorant me një yll Michelin), po bëj gati një vit që jam transferuar në Romë për të punuar me Chef Fundim Gjepalin tek “Antico Arco” dhe një pjesë të kohës kam punuar në Tiranë tek “Padam”, ku kam vazhduar eksperiencën si sommelier.

Ju jeni tashmë një sommelier profesionist, i njohur dhe i vlerësuar me çmime të rëndësishme në konkurse të ndryshme. Në gjykimin tuaj, çfarë e bën një sommelier të suksesshëm?

Një sommelier i suksesshëm për mendimin tim duhet të impenjohet shumë dhe ta bëjë këtë punë me përulësi. Duhet studim i vazhdueshëm, të degustojë me shumë vëmendje për të kuptuar të gjitha hollësitë e nje vere, varietetin ose veçoritë e zonës. Të flasë me prodhuesit për të kuptuar më mirë dhe të shkojë mundësisht në vresht. Pikërisht atje ku fillon gjithçka dhe, meqënëse bota e verës është e pafund, nuk duhet të vetëkënaqet, por të jetë gjithmonë i uritur, jo i “etur” për të njohur sa më shumë. Ndoshta duhet të jetë dhe një komunikues i mirë edhe kjo është e rëndësishme. Pastaj suksesi vjen vetë.

Cilat janë hapat e degustimit të një vere?

Vera, pasi e kemi derdhur në gotë (pa e mbushur deri në grykë kuptohet), për t’u degustuar në mënyrë korrekte kalon përmes tre fazave.

E para është analiza pamore, me anë të së cilës ne vleresojmë qartësinë ose pastërtinë e saj (kryesisht që të mos jetë e turbullt ose të ketë substanca në pezullim), analizojme ngjyrën që na jep informacione mbi llojin e verës, varietetit dhe vjetërimit. Pastaj, duke e rrotulluar, kuptojmë strukturën (sa më avash të rrotullohet aq më e ngjeshur është vera).

E dyta është ajo e nuhatjes, me anë të së cilës “masim” intensitetin, analizojmë kompleksitetin e aromave dhe “lozim” duke i njohur ato. Dallojmë njëkohësisht dhe cilësinë e saj nëse nuk ndjejmë defekte.

Analiza e tretë bashkon nuhatjen me shijen, sepse përveçc faktit qe e provojmë në shije duke analizuar ekuilibrin e saj, trupin, intensitetin, kohëzgjatjen dhe cilësinë, ne arrijmë edhe të dallojmë aromat e gojës në momentin që nxjerrim ajrin. Nuk është e thjeshtë, por në “Vindipendent” do t’i trajtojmë shpesh dhe do të bëhen më të kuptueshme me kohën.

Si rekomandohet të serviret vera?

Vera duhet të serviret në një gotë me fron prej qelqi ose kristali. Siç thashë edhe me sipër, nuk duhet t’i mbushim gotat shumë. Po ashtu, duhet të serviret në temperaturën e duhur që është pak a shumë për ato me gaz rreth 5°-7°, për verat e bardha nga 8° deri në max 12° dhe për të kuqet nga 13° në maximumi 20°.

A ndikon forma e gotës në shijimin e saj dhe pse?

Forma e gotës ndikon shumë dhe në bazë të verës që do të konsumojmë ose servirim duhet të zgjedhim dhe gotën e duhur. Në vija të përgjithshme, sa më e rëndësishme ose e vjetëruar është vera aq më e gjerë duhet gota, sepse kemi nevojë për më shumë kontakt me ajrin që vera të ajroset dhe të shprehi karakteristikat e saj. Kjo vlen njëlloj për të gjitha llojet. Kuptohet do të jenë më të ngushta për ato me gaz, mesatare për të bardhat dhe ato më të gjerat për të kuqet. Flasim gjithmonë në vija të përgjithshme, çka nënkupton që ka përjashtime. Në faqen e  “Vindipendent” ka një artikull të posaçëm për këtë temë dhe ju këshilloj ta lexoni.

Për ato që kanë pak informacione dhe nuk e njohin mirë botën e verës, mund të na tregoni disa këshilla sesi mund të zgjedhin verën në një supermarket, vinotekë apo në restorant? Çfarë duhet të dijë secili prej nesh përpara se të zgjedhë një verë të caktuar?

Kjo pyetje është goxha e gjerë dhe është një nga temat që së shpejti do ta trajtoj, por gjithsesi mund t’ju jap ndonjë këshillë të vogël. Në supermarket është një nga sfidat më të vështira, sepse jeni vetëm dhe për faktin që në Shqiperi shiten vera të “thjeshta”, të themi, dhe nuk është kollaj të gjesh vera cilësore. Prandaj do t’ju këshilloja të lexoni etiketën e pasme me kujdes dhe të kërkoni ato që prodhohen nga Aziende Agricoli dhe mundësisht që kanë emër dhe mbiemër të prodhuesit. Mund të jeni me fat dhe të pini verë të “bërë nga rrushi”. Gjithsesi janë më të sinqerta sesa një vere e një kantine të madhe që prapa ka vetëm kode që nuk kuptohet ku është mbushur. Ah, nëse buxheti juaj maksimal është të themi 1000 lekë, provoni të shtoni diçka më shumë ndonjëherë.
Guxoni dhe provoni diçka të re, sepse një verë e mirë kushton dhe ato 200-300 lekë më shumë mund t’ju surprizojnë. Në vinotekë është më e thjeshtë, sepse zakonisht ka një person që mund t’ju ndihmojë dhe t’ju këshillojë. Këtu këshilla ime do ishte të thoni pak a shumë si e keni qejf verën dhe buxhetin tuaj dhe të kini besim tek personi që po ju shërben. Në restorant bëhet akoma më e vështirë sepse pothuajse nuk gjen një somelier dhe kamarierët këshillojnë ato që shiten më shumë (në rastin më të mirë). Unë do e bëja kështu: prisni dhe pak kohë dhe Vindipendent do t’ju këshillojë shumë mirë vazhdimisht. Por ndërkohë si t’ja bëjmë do të thoni ju? Shikoni menunë e verërave. Zgjidhni dy ose tre që ju duken interesante dhe që janë tek buxheti juaj. Dhe meqënëse smartphone-t nuk mungojnë bëni një kërkim të vogël në internet dhe ajo që ju bind më shumë porositeni.

Ka ndonjë lloj vere që rekomandohet më shumë për këtë periudhë të nxehtë të vitit?

Meqënëse jemi tashmë në mes të verës zgjedhja shkon gati natyrshëm tek verërat e bardha të freskëta ose tek ato me gaz, të cilat na japin edhe një dehje të lehtë të menjëhershme, sepse pas një dite të lodhshme pune me vapën që bën është idealja për të na freskuar dhe “lehtësuar” nga mendimet. Por ata që nuk duan të heqin dorë nga e kuqja, do i këshilloja të zgjidhnin një me trup të mesëm dhe me gradë alkolike jo të lartë dhe mundësisht ta freskojnë 5-10 minuta para përdorimit. Por unë nuk do e konsumoja në drekë, por nga darka, kur dielli është në perendim dhe qielli është akoma i kuq. Atëherë po, vetëm atëherë nuk do të mërzitesha me ju.