.Njerëzit zgjedhin mënyra nga më të ndryshme për të ‘vënë’ në jetë pasionet e tyre. Nevila Xholi, e cila ka mbaruar studimet e larta për Financë dhe prej 10 vitesh punon në bankë është një prej atyre njerëzve që dëshirat e saj nuk i lë në sirtar. Kështu, pasioni për gatimin e ka bërë kohët e fundit atë një blogere ushqimi, ku ndan me ndjekësit e saj kryesisht receta gatimi.

Blogu mban emrin ‘Bake My Day Happy’, një lojë fjalësh sipas saj, që e shqipëruar do të ishte ‘Gatimi ma bën ditën e lumtur.’Ky ‘ditar elektronik’ siç e quan ajo, nisi krejt rastësisht, ku ajo vendosi të postojë recetat e familjes së saj dhe shumë informacione të tjera rreth botës së ushqimit.
Në këtë intervistë për revistën “Shije” ajo tregon se pse vendosi të sjellë një blog mbi ushqimin, pasionin e saj për gatimin dhe erëzat e saj të preferuara pa të cilat nuk do të bënte dot në kuzhinë.

Si lindi dëshira juaj për të pasur një blog ushqimi?
Gatimi ka qënë pasioni im që e vogël dhe me kalimin e viteve dëshira për të gatuar vetëm ka ardhur në rritje. Ideja e blogut lindi një ditë të bukur në zyrë së bashku më dy koleget e mia që ndanin të njëjtin pasion me mua, por impenjimet tona bënë që ta linim në harresë. Një ditë të bukur thjesht vendosa që të gjithë gatimet e mia ti ruaja në blog, apo në ditarin elektronik siç me pëlqen ta quaj unë, kështu të gjithë shoqet e mia apo kushdo tjetër që i pëlqen gatimi të mund ti gjenin aty recetat e mia.

Çfarë fshihet pas emrit të blogut tuaj ‘Bake My Day Happy’?
Në fakt unë nuk do doja ta shkruaja në anglisht emrin e blogut, por “Bake My Day Happy” (e cila është thjesht një lojë fjalësh, në vend të “Make my Day Happy = Ma bëj ditën të lumtur), më përshkruan mua më së miri.
Në shqip, nëse do të më duhej ta përshtasja është: “Gatimi ma bën ditën e lumtur”, se “Ma piq ditën e lumtur,” sikur nuk shkon, apo jo. 

Cila është pjesa më e bukur e të qenit një bloger-e ushqimi?
Pa dyshim në rradhë të parë janë komentet pozitive që marr nga ndjekësit e mi, e sidomos kur një recetë e imja pëlqehet. Unë në këtë ditar kam shpërndarë një pjesë të jetës së familjes time, traditës tonë, ndaj çdo koment pozitiv apo kompliment, sigurisht që është një ndër kënaqësitë që të jep blogging. Pastaj edhe njohjet e reja, virtuale ose jo, me kolege blogere ushqimi janë një kënaqësi e veçantë.

Kush është frymëzimi juaj i gatimit: një shef i famshëm, mamaja juaj, një libër gatimi, një blog gatimi, …etj?
Lejohet të them pak nga të gjitha? Është e vështirë të ndash njërin faktor apo tjetrin, mami sigurisht ka qënë frymëzimi im i parë, emisioni i Rai-t “La prova del cuoco” ka qenë programi i parë kulinar që më ka mbajtur të gozhduar para Tv dhe më bëri të kuptoj se sa shpejt mund ti shkruaja recetat në italisht (haha.) Orizi me salcë domate i gatuar fshehurazi  kur isha vetëm në shtëpi ka qënë dështimi im i parë (edhe pse nuk i tregova mamit, ajo prapë e mori vesh sepse nuk dija të laja tenxheret në atë kohë).

Cila është receta e preferuar nga blogu juaj?
Hëmm, të gjitha? Siç e kam përmendur më lart apo edhe në ditar, këtu unë kam publikuar recetat e preferuara të familjes time. Nuk do të shpërndaja kurrsesi asnjë gatim që nuk ma pëlqejnë ata fillimisht (kritikët e mi më të mëdhenj), por megjithatë do veçoja takos. Ndoshta është e vetmja pjatë që unë përdor si as nën mëngë kur s’kam ç’tu gatuaj dhe që e di që do korr sukses.

Ju jeni një adhuruese erëzash. Pa cilën prej tyre nuk do të bënit dot në kuzhinë?
Ah, pyetje e vështirë kjo. Sigurisht që nuk i përdor të gjitha shumë shpesh (dhe kjo bën sens), por siç e kam shprehur edhe në blog, top 10-shja e erëzave pa të cilat unë nuk bëj dot në kuzhinë janë:
1.Pluhur hudhre
2.Pluhur qepe
3.Pluhur speci (Paprika)
4.Kumin
5.Kanellë
6.Turmerik (kurkuma)
7.Xhenxhefil (pluhur)
8.Karafil (pluhur)
9.Rigon
10.Piper të zi

Ju thoni në hyrje të blogut se ju pëlqen kuzhina meksikane dhe kineze. Në fakt, edhe pjesa më e madhe e recetave janë të këtyre dy vendeve. Rastësi apo ka një histori që qëndron në këtë mes?
Jo, nuk ka asnjë histori në këtë mes, thjesht janë shijet apo gatimet që preferoj më shumë. As vetë nuk e mbaj mend se si ndodhi që jam dashuruar me këto lloj kuzhinash, që në fakt nuk kanë aspak lidhje me njëra tjetrën. Fatmirësisht edhe familja ime ndan të njëjtat shije me mua, gjë që ma bën gatimin më të lehtë.

Si arrini ta ndani kohën midis punës, familjes, aktiviteteve tuaja dhe së fundmi midis ‘ditarit elektronik’ rreth ushqimit, siç ju e quani blogun tuaj?
Deri më tani kam arritur ta manaxhoj pa vështirësi fatmirësisht. Pjesën më të madhe të kohës ia dedikoj gjatë fundjavës duke qënë pak më e lirë për të gatuar, fotografuar (edhe pse këtu kam nevojë për përmirësim) dhe shkruar.
Mendoj që kur ekziston dëshira dhe pasioni gjendet edhe koha për t’iu kushtuar, qofshin këto edhe pak minuta në ditë. Unë uroj ta manaxhoj po kaq lehtësisht edhe në të ardhmen.
Intervistoi: Genta Dobra