Ishte viti 1993 kur Ibrahimi iu fut kësaj rruge, dhe  vetëm katër vjet më vonë, ai dhe e shoqja do ti vinin emrin “Someg”, duke bërë bashkë emrat e të dy fëmijëve, Soni dhe Megi.

Sot ata kanë një rrjet dyqanesh në të gjithë Tiranën me 6 pika prodhimi të bukës dhe një punishte pastiçerie,

“Prodhimi ynë është tipik shqiptar”, shprehen të dy bashkëshortët, ndërsa theksojnë se motoja e tyre është: “Traditë shqiptare, cilësi evropiane”.

“Njerëzit më shumë marrin bukë bio, me miell theker,soje dhe 6 lloje farërash: ciabaten, të cilën e bëjmë të thjeshtë dhe me ullinj, altamuren, integralen,etj.  Shija te ne është natyrale Sekreti është te përgatitja. Çelësi i suksesit tonë është teknologjia e prodhimit të brumit me bashmaja natyrale. Ne kemi një teknologe shumë të mire, e cila trajnon gjithë specialistët e brumit, që cilësia të jetë përherë e lartë. Përveç kujdesit të madh në prodhimin e brumit, ne kemi ndërtuar një infrastrukturë të shkëlqyer për procesin e pjekjes. Furrat që përdoren për pjekjen e bukës janë teknologjia e fundit e Polin, të cilat sigurojnë lagështi minimale. Me bazë në traditën shqiptare dhe me teknologjinë më të fundit evropiane, duke bashkëpunuar me firma prestigjoze si me “Martin Braun” në Gjermani, me francezët e “Lesaffre”, italianët e “Altamur”-ës apo belgët e “Purato”-s, sot ata dinë se çfarë ofrojnë për klientët.

Rruga që kanë ndjekur nuk ka qenë e lehtë, por me ç’duket as shumë e vështirë, për aq kohë sa çifti nga Berati, në themel të punës së tyre vendosën cilësinë dhe ofrimin e produktit tradicional shqiptar.

Aromë shtëpie

“Someg” futi i pari bukën bio, paketimin me letër, llojet e ndryshme të bukës; dietiken, me fara, me sojë dhe elb, por edhe bukën tonë tradicionale për nostalgjikët e bukës të para viteve ‘90 , apo kulaçin me sodë për ata që duan të hanë si nga duart e gjyshes.

“Baza, tradita shqiptare është bashmajaja. Miellrat janë të tërë evropianë, të cilësisë më të mirë. Buka përgatitet me bashmaja, pa maja birre. bazuar mbi traditën tonë, duke bërë për vete ata që duan një ushqim natyral dhe cilësor. Ardhja natyrale kërkon pak kohë më të gjatë dhe jetëgjatësia e bukës ëhtë më e gjatë”, shpjegon Laureta Kodra, teknologia e “Someg”, e cila ka rreth 30 vjet, që merret me prodhimin e bukës.

Sipas tyre, edhe njerëzit tashmë e vlerësojnë më tepër atë çfarë ata u ofrojnë. “Kultura e të ushqyerit ka ndryshuar shumë. Unë e ndiej që ka ndryshuar. Lëvizja e lirë e njerëzve ka ndikuar në këtë gjë.  Ne donim të futnim produktet e reja dhe të bëhej mësimi i njerëzve me këto shije. Tek ne gjejnë edhe shijen që kanë provuar në Itali me ‘Ciabaten’ dhe ‘Altamuren’, edhe shijen që kanë provuar në Greqi me Bukët me miell të verdhë, edhe bukën që kanë provuar në Gjermani me ‘Bion’ me 6 lloje farërash, edhe ‘Dinkelin’ austriak apo shijen franceze të ‘Lesaffres’ etj. Jemi manjakë të gjërave të veçanta dhe cilësore, se bëhet fjalë për ushqim.”

Thesari i “Someg”, majaja natyrale

Siç dhe ritheksojnë, e veçanta e “Someg”, është prodhimi i bukës me maja natyrale. “Ajo është baza e gjithë bukëve që bëjmë ne. Mielli merret nga firmat më të rëndësishme evropiane dhe shqiptare me çertifikatë cilësie të garantuar..

Teknologia Laureta Kodra shpjegon se, në fakt ka shumë lloje bashmajash që përgatiten, “por kjo është e përgatitur nga ne. Ne kemi të veçantë mënyrën si i përgatisimi. Mund t’i bëjmë me kumbulla, mund t’i bëjmë me kos të thartuar, me uthull, gjëra natyrale”.

Tashmë me 50 punonjës, “Someg” ka një linjë moderne të prodhimit “me furra të markës më të mirë, që bëjnë pjekjen cilësore dhe me lagështirën minimale”.

Brenda furrës, përveç prodhimit të bukëve, ofrohet edhe prodhimi i fast food-it integral i llojeve të ndryshme.

Ndërkohë që recetat e reja të prodhimit shtohen përditë sipas kërkesave të klientëve, apo sipas modeleve që Minerva Yzeiri dhe teknologia e “Someg”, “vjedhin” nga interneti dhe që i përshtasin me shijen shqiptare, por edhe nga panairet e shumta ku kanë marrë pjesë. Që nga viti 1999, ata janë pjesëmarrës në të gjithë panairet e zhvilluara në Evropë për bukën dhe pastiçerinë, ku kanë marrë me dhjetëra çertifikata.

Rekomandime

“Someg” rekomandon lloje të ndryshme bukësh për grupe të veçanta njerëzish, sipas moshës apo gjendjes shëndetësore.

Kështu, për fëmijët ofrohet e ashtuquajtura “bukë angleze” me miell orizi apo miell qiqrash, që tretet lehtësisht nga moshat e vogla, por edhe nga njerëz që kanë probleme me stomakun. Një tjetër lloj është buka “Dinkel” pa gluten, që bëhet nga mielli i thekrrës së egër, për njerëz që kanë probleme me glutenin.

Bukë të tjera që këshillohen janë ato me miell soje, apo me miell orizi e kombinuar me miell misri (Maisano), buka e thekrrës e përzier me krunde për diabetikët, për të ulur yndyrnat në gjak dhe për të ndihmuar në tretjen e ushqimit. Është buka “Tradita”, e cila është quajtur kështu, sepse është tamam si ajo që prodhohej para viteve ‘90, “buka e Gjyshes” e përgatitur me miell të verdhë nga një lloj gruri shumë i shijshëm. Një lloj tjetër është buka e zezë me krunde,e përgatitur me miell të bluar në mulli guri, që ka më shumë fibra etj.