Simpatike, e shkathët dhe me një stil shumë unik në të veshur. Kristina Ismail është një nga portretet më të reja të ekranit, një nga moderatoret e programit televiziv ‘Bulza’, i cili promovon artistët e rinj. Vjen në një intervistë për ‘Shije.al’, ku tregon për rrugëtimin e saj në televizion, pasionet përtej ekranit dhe marrëdhënien e saj me kuzhinën. Për të gjitha këto dhe më tepër lexoni të plotë intervistën.

Për të gjithë ata të cilët iu ka shpëtuar pa parë sezoni i parë ‘Bulza’ dhe nuk të njohin. Na trego më shumë për veten.
Unë jam Kristina, prej thuajse 8 muajsh njihem si vajza e Bulzës. Bëj edhe plot gjëra të tjera por sigurisht, ajo që është më evidente është projekti që kam ne ekran. Bulza është një format i këndshëm në orën 15:00 nga e hëna në të premten, ku unë së bashku me dy moderatoret e tjera Anxhela dhe Armenda, promovojme talentet e reja, njerëzit që ndjekin pasionin dhe që dhurojnë shumë dashuri duke bërë atë që duan.

Si nisi i gjithë ky rrugëtim?  Ishte një iniciativë e jotja apo një ofertë e televizionit?
‘Bulza’ nuk ka qenë projekti im i parë në ekran. Thuajse për dy vite të tjera, kur isha pak më e vogël kam qenë pjesë e 'skuadrës" Mad TV. Aty kam prezantuar 'US Top', një format të bukur por të thjeshtë. Pjesë e TVSH-së u bëra duke fituar një audicion.

Sa të vështirë e pate të bëheshe pjesë e botës së madhe të ekranit?
Ëmm. Mund të duket e çuditshme por fillimi ka qenë shumë më i thjeshtë sesa puna që më është dashur të bëj për të mbijetuar. Përpara se të fitoja audicionin e Mad TV, ku ishin mbi 150 të rinj që aplikuan, u bëra rastësisht pjesë e reklamave, të cilat ishin si një trampolinë. Por lufta më e madhe ishte më pas, një luftë me veten por edhe me të tjerët, sigurisht. Ekrani është si një histori dashurie e bukur, por të konsumon.

A i ka arritur ‘Bulza’ të ndikojë në jetën tënde, ta bëjë atë me ‘bulza’?
Nuk e di sa do të ma besoni këtë përgjigje, por më ka ndikuar tepër. Është shumë e bukur ajo që bëjmë dhe njerëzit që janë bërë pjesë e këtij rrugëtimi. Promovimi i të rinjve dhe atyre që ja kanë dalë të realizojnë ëndrrat e tyre, është motivimi më i mirë që mund të marrësh. Aq shumë histori suksesi dhe punë e shpërblyer më ka nxitur që të punoj më shumë dhe pse jo të ndjek edhe unë me vrap ëndrrat e mia.

Impenjimet e tua shkojnë përtej fushës së moderimit. Pjesëmarrja si aktore në filmin me metrazh të shkurtër ‘Life on a carousel’ e dëshmon mjaft mirë këtë. Është aktrimi një pasion për ty apo thjesht të shërbeu si një trampolinë për t’u bërë pjesë e televizionit?
Aktrimi është dashuria ime e parë që sa mbaj mend nga fëmijëria. E dua shumë, por jam e vetëdijshme që nuk më çon dot shumë larg dhe për shumë kohë kështu që prandaj më duhet ta lë pak mënjanë. E 'ledhatoj' vetëm herë pas here me ndonjë projekt, por aq.

Linjat perfekte të krijojnë përshtypjen e një vajze që kujdeset shumë për veten.  A ndjek një regjim ushqimor të caktuar në të ngrënë?
Ushqimi! Regjim ushqimor të mirëfilltë nuk mbaj, jo sepse nuk dua por nuk mundem. Mbetem larg shtëpisë për një kohë të gjatë dhe kjo më pengon që të ha rregullisht. Por kam fatin e mirë të kem ushqim të preferuar perimet, frutat dhe produktet e mishit. Kjo më ka bërë që të klasikohem si një njeri që ha shëndetshëm pasi edhe kur konsumoj ndonjë vakt jashtë, preferoj ndonjë sallatë dhe supë. Pastaj edhe aktivitetet sportive kanë qenë pjesë e jetës time herë pas here. Kam qenë në basketboll për 3-4 vite, u shkëputa tre vite derisa rinisa palestrën. Por, duhet theksuar që unë eci shumë gjatë ditës. Eci tepër.

Bën pjesë në pasionet e tua gatimi?
Pasioni i madh nuk është, por di të gatuaj dhe gatuaj mirë. Madje gatuaj aq mirë sa nuk gatuaj shpesh, sepse fillojnë më kërkojnë gatime cdo ditë pastaj. Jam korçare dhe byrekun me petë të bëra vetë e kam specialitet. Për më tepër, po ndaj me ju edhe recetën:

Përbërësit për brumin (për një byrek mesatar):
2 gota uji me miell
200 ml ujë
1 vezë
Kripë
Pak vaj

Përgatitja:
Shtoni miellin, kripën, vezën, pak vaj në një enë mesatare. Më pas hidhni ujin gradualisht dhe filloni përgatitjen e brumit, derisa të bëni një masë të ndërmjetme (as të fortë dhe as shumë të butë).
Mbulojeni brumin dhe lërnei mënjanë për gjysmë ore.
Ndërkohë, filloni men jëherë për përgatitjen e mbushjes, e cila shpesh herë e preferuara ime është me veze dhe kos, ose me spinaq dhe lëpieta.
Filloni ndarjen e brumit në toptha të vegjël dhe më pas hapini sa masa e një pjate. Bashkimi i tyre me pak vaj do të krijojë petën e sipërme dhe të poshtme të byrekut.
Vendosni njërën petë të madhe në tavë dhe hidhni mbi të mbushjen e përgatitur sipas dëshirës. Mbulojeni me petën e sipërme dhe krijoni thurjen anash tavës (nga jashtë ose nga brenda, sipas dëshirës).
Vendoseni në furrë dhe piqeni derisa të marrë një ngjyrë të artë në kafe. Pasi ta largoni nga furra, spërkateni me pak ujë.

Marrëdhënia jote me kuzhinë: amatore, shijuese e mirë apo një kuzhiniere e zonja?
Jam kuzhiniere e zonja, por nuk preferoj të rri në kuzhinë.

Pjata e preferuar që nuk do të të mërzitej edhe po të të duhet të haje çdo ditë?
Oooo janë shumë. Unë skam ushqim që se pëlqej. Por patatet dhe bizelet i dashuroj.

Stili i veshjes tënde bie shumë në sy. Ke një stilist/e të cilit/ës i referohesh, apo pëlqen t’i kombinosh rrobat sipas mënyrës tënde dhe të krijosh një stil krejt unik?
Unë preferoj të luaj me ngjyrat. E kam thënë edhe më parë, është shumë e brendshme stili i të veshurit. Sinqerisht nuk i referohem asgjëje konkrete, është gjithçka tek ndjesia e momentit. Ngjyrat përfaqësojnë emocionet tona dhe unë e ndjej se kam shumë ngjyra brenda dhe jashtë meje.

Do të të shohim sërish edhe këtë sezon në TVSH me ‘Bulza’ apo  po mendon për projekte të tjera televizive?
Jo, ‘Bulza’ do jetë sërish në shtator. Me disa ndryshime të vogla, por me mision të qartë.

Të ardhmen tënde e sheh në televizion, në aktrim apo në një profesion krejt tjetër që nuk ka lidhje me asnjërën prej të dyjave?
E ardhmja ime do ketë lidhje me ekranin por ndoshta mund të ndërthuret edhe me një profesion tjetër. Aktrimi do jetë një pasion gjithmonë i etur.