Si duhet të kujdesemi për kafshët shtëpiake gjatë periudhës së verës? Çfarë ushqimesh duhet dhe nuk duhet t’i japim? Ku mund t’i lëmë ndërkohë që ikim me pushime? Të gjitha këtyre pyetjeve dhe jo vetëm, i përgjigjet në këtë intervistë mjeku veteriner turk, i cili punon prej vitesh në Shqipëri, Emre Aslan.

Jemi në stinën e verës dhe një pjesë e konsiderueshme e njerëzve mbajnë kafshë të ndryshme shtëpiake, zakonisht qenë dhe mace. Mund të na tregoni, nëse ka ndonjë gjë specifike që duhet të kemi parasysh për kujdesjen e kafshëve gjatë verës?

Gjëja më e rëndësishme në këtë periudhë është trajtimi për parazitët. Për shkak të rritjes së temperaturave, numri i tyre rritet dhe duke qenë se ato kalojnë shumë kohë jashtë, rreziku për infeksione është i madh.

Midis qenve dhe maceve, kush ka nevojë për më shumë vëmendje gjatë sezonit veror?

Ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje qenve, për shkak se janë më shumë të ekspozuar ndaj rreziqeve. Nga ana tjetër, macet, të paktën ato që qëndrojnë brenda janë më pak të rrezikuara. Gjithsesi, duhet të keni kjujdes që të mos i lini në ambiente të mbyllura në temperatura të larta dhe për një kohë të gjatë. Gjithashtu, duhet të tregohemi të vëmendshëm që të mos harrojmë ndonjë dritare hapur, pasi macet janë kurioze nga natyra dhe mund të hidhen. Ideja që macet që jetojnë brenda në shtëpi janë imune ndaj parazitëve është e gabuar. Maceve iu pëlqen që të luajnë me insekte, këpucë, etj, çka i ekspozon ato ndaj parazitëve të ndryshëm. Ndaj duhet që të marrim masa për të parandaluar rritjen dhe shumimin e parazitëve në trupin e maceve, duke përdorur ilaçe dhe parandalues të tjerë.

Dëgjojmë shpesh në verë të thuhet: “Qeni im është dobësuar”; “I bien shumë qime”; “Është sëmurë” apo “Nuk ha fare” pavarësisht përkujdesjes së madhe. Është kjo diçka për t’u shqetësuar apo është normale në këtë periudhë?

Një rënie e lehtë në peshë, si edhe humbje më e madhe e qimeve sesa zakonisht është e pritshme në sezonin e verës. Megjithatë, nëse humbja e peshës dhe rënia e qimeve vazhdojnë për një periudhë të tejzgjatur kohore dhe me një intensitet të lartë, është e domosdoshme konsulta me një veteriner, pasi jeta e mikut tuaj me katër putra mund të jetë në rrezik.

Sa herë duhet t’i dërgojmë kafshët gjatë verës tek veterineri?

Është e nevojshme që kafshët t’i dërgoni të paktën një herë në muaj tek veterineri për të aplikuar medikamentet e parandalimit të parazitëve të jashtëm dhe të brendshëm. Megjithatë, nëse ju vëreni që kafsha juaj ndihet apo sillet çuditshëm, mos hezitoni ta dërgoni për një vizitë veterinare.

Ka ndonjë ushqim specifik që duhet t’i japim qenit në këtë periudhë?

Mundohuni të qëndroni strikt në regjimin ushqimor të qenit tuaj. Ju e njihni më mirë se kushdo tjetër kafshën tuaj shtëpiake dhe ushqejeni ashtu siç keni bërë gjithmonë. Është shumë e rëndësishme që tasi i ujit të jetë gjithmonë plot, pasi me këto temperatura të larta qeni juaj mund të dehidratohet.

Po ndonjë ushqim që nuk duhet t’ia japim fare?

Është e rëndësishme të mos e ndryshojmë dietën e qenit, pasi kjo do të çojë në diarre dhe të vjella.

Një tjetër dilemë e madhe e shumë njerëzve në këtë periudhë është nëse duhet t’i marrin kafshët me vete në plazh apo jo. Ju çfarë do të sugjeronit?

Duke pasur parasysh, karakterin dhe personalitetin e maceve është e këshillueshme që ato të mos ndërrojnë ambient, pasi kjo mund të rezultojë në stres, ankth dhe deri në depresion. Nga ana tjetër, qeni mund t’ju ndjekë lehtësisht me pushime dhe të kalojë mirë bashkë me ju. Qentë nuk janë aq solitarë sa macet dhe marrin shumë kënaqësi duke kaluar kohë me pronarët. Për më tepër, ato janë notarë të shkëlqyer, kështu që mos harroni të merrni disa lodra me vete.

Nëse nuk kemi ku t’i lëmë kafshët dhe nuk kemi mundësi t’i marrim me vete, çfarë zgjidhjesh do të sugjeronit?

Hoteli i kafshëve është një zgjidhje e shkëlqyer, megjithatë ambienti i ri kërkon pak kohë që të mësohet, kështu që ditët e para mund të jenë disi stresuese. Në hotelin tonë, ne bëjmë më të mirën për t’i krijuar atyre një klimë dhe ambient sa më komodë, megjithatë duhet të kuptoni që për kafshën tuaj shtëpiake, shtëpia dhe pronarët janë gjithmonë zgjedhja e parë. Megjithatë në hotel qentë dhe macet kanë monitorohen non-stop dhe kanë mundësi të luajnë me shokët. Nëse ju do të ikni vetëm disa ditë me pushime dhe po vrisni mendjen se çfarë të bëni me macen, unë mendoj që zgjedhja më e mirë është që ta lini atë në shtëpi dhe një mik i juaji ta vizitojë atë çdo ditë. Qentë nga ana tjetër janë më të varur nga njerëzit, ndaj kjo nuk është një zgjidhje për to.