Pak javë pas baladës “S’kam vend për ty”, Lorenc Hasrama ka publikuar këngën “Kisha menu”  në bashkëpunim me aktorin e Portokallisë Olsi Bylyku (Kimikati). Kënga gërshetoi zërin dhe kompozimin e Lorencit dhe dozat e humorit në tekst e intepretim të Olsi Bylykut.
Dy shokë në skenë dhe në jetë sollën për publikun një këngë me energji e pozitivitet dhe jo  rastësisht u rendit në hitet e kësaj verë.
Kënga u lançua në fillim të korrikut dhe nga ky bashkëpunim po i shohim të dy djemtë së bashku në performanca të ndryshme gjatë këtij sezoni.
Lori i Voice-it, siç e njohin të gjithë ata që e mbajnë mend në kompeticionin muzikor “The Voice of Albania5” shprehet për Shije.al se pasioni për muzikën nisi fillimisht me instrumentin e violinës, por tani gjërat kanë marrë rrjedhë krejt tjetër. Nga muzika klasike në rock alternativ. Një kapërcim i çuditshëm, por kur shikon sjelljen e tij prej rebeli të pabindur të krijohet përshtypja që muzika rock ka qenë destinacioni i tij.
Vera për të vazhdon të jetë e ngarkuar me koncerte në qytete të Shqipërisë, por kurrsesi nuk i ndahet muzikës live në bare e clube gjatë natës. I kënaqur nga suksesi që kanë pasur dy realizimet muzikore, Lorenci duket që nuk mjaftohet me kaq, sepse akoma nuk është koha të ndalet. Me shumë entuziazëm tregon një sekret për baladën soul që pritet të vijë me videoklip në shtator.
Ndërsa flet për muzikën, ai nuk mund të mos përmend mbështetësit më të ngushtë në karrierën e tij: babin, familjen dhe shtëpinë e tij të ngrohtë.
A ishte balada një dedikim dashurisë së shkuar?
Përsa i përket dashurisë, angazhimet të shkëpusin edhe nga jeta sociale me miqtë dhe sigurisht kjo ndikon dhe në marrëdhëniet dashurore. Një lidhje që të funksionojë kërkon praninë dhe mbështetjen e partnerit. Unë e shoh të vështirë momentalisht t’i përkushtohem dikujt, prandaj dhe jam vetëm. Por nuk jetoj pa dashuri, jam shenja e Ujorit, kam nevojë për dashuri, të përkëdhelem, të ndjehem i plotësuar, bëj shumë për të tjerët, jap dashuri, fal shumë, por kur nevrikosem, aty stop (qesh).
Po dashuria fillon nga stomaku, prandaj aq nevojë sa ka për dashuri, ka edhe për ushqim.
“Unë ha shumë! Them shumë dhe e kam seriozisht. Përshembull, mund të ha deri në 8 panine, të volga sigurisht (qesh). Koncertet më bëjnë të harxhoj shumë energji, ndoshta kjo është arsyeja.”
Si e ke marrëdhënien me ushqimin? 
“ Më pëlqen edhe të gatuaj dhe jam shumë i rregullt në kuzhinë. Nëse me del koha, mund të laj edhe enët pas gatimit (qesh). Por zakonisht në familjen time gatuan mami.”

Edhe pse ndër gishta i lexon dy tatuazhe: love; life, muzika është jeta për të. Siç mund ta krahasojmë Lori i Voice-it e jep jetën për dashurinë, por për muzikën e jep edhe dashurinë.

“Unë e dua muzikën dhe këmbëngul për ta dominuar skenën. Asgjë nuk më ndal të marr atë që dua, sepse çdo gjë që ekziston njërëzit mund t’a bëjnë, vetëm se duhet të luftojnë. E vetmja gjë që më tremb në këtë botë është sëmundja dhe vdekja. Çdo gjë tjetër e sfidoj!”

Nga Djana Marku/Shije.al