Shpeshherë e kemi vënë re që sportistët kanë një trup të dobët dhe të tonifikuar dhe kjo nuk varet vetëm nga aktiviteti fizik që ata kryejnë. Një dietë e ekuilibruar është thelbësore për një sportist, për shëndetin dhe për performancën e tij.
Ndonëse e vogël në moshë,ajo ka rreth 8 vite që merret me aktivitet sportiv duke marrë pjesë në kampionate brenda dhe jashtë vendit.
Në një intervistë për “Shije.al”, volejbollistja e ekipit të Tiranës, Livia Shehi na tregon për regjimin e saj ditor,nushqimet që duhet të konsumojë një sportist, ato që janë të ndaluara si dhe marrëdhënien e saj me kuzhinën.

Si kujdesesh për trupin tënd që të jesh në formë dhe të kesh këtë peshë? Ndjek ndonjë regjim të caktuar ushqimor apo ndonjë dietë strikte?
Duke marrë parasysh që unë kam rreth 8 vjet që merrem me aktivitet sportiv, kryesorja është mënyra e të  ushqyerit.Familja ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm sepse më ka dhënë edukatën ushqimore.Faktor me rëndësi është dhe regjimi.Pasja e një regjimi të shëndetshëm të bën që ta mbash trupin në formë e të kesh trup të tonifikuar.Realisht jam kundër dietave strikte.Nuk i preferoj sepse kanë dhe anë negative.
Ka ndonjë ushqim që e ke shumë qejf, por për shkak të profesionit nuk ke mundësi ta konsumosh shpesh?
Armiku numër një i sportistit janë yndyrnat.Mua më pëlqejnë shumë patatet e skuqura por nuk i konsumoj shpesh, sepse përmbajnë shumë vajra dhe duke i skuqur  i humbasin edhe ato pak përbërës të ushqyeshëm që ka.
Është e vështirë t’i rezistosh këtyre ushqimeve të ndaluara?
Fillimisht ka qenë shumë e vështirë , por tashmë jam mësuar me këtë stil jetese, duhet të hamë shëndetshëm që të kemi një trup të mirë.
A përdor suplemente, kalcium, proteina apo vitamina shtesë?
Çdo sportist, çdo gjashtë muaj bën analizat e përgjithshme te një mjek dhe në bazë të tyre arrijmë të kuptojmë nëse trupi ka nevojë për më shumë shtojca ushqimore apo jo.Nëse unë e kam të nevojshme duhet të kontaktojë dhe të konsultohem me trajnerin tim dhe më pas të vendos nëse duhet t’i marr.
Cilat ushqime të japin më shumë energji ?Cfarë konsumon zakonisht para ndeshjeve?
Kur kemi një aktivitet sportiv, para një ndeshje konsumoj çokollatë dhe fruta pasi ato përmbajnë vitamina dhe kripëra minerale. Kurse çokollata  më jep energji  dhe digjet shpejt,  por sportisti gjithashtu duhet të pijë sa më shumë lëngje.
Cilat janë frutat që duhet të konsumojë një sportist?
Një sportist duhet të hajë shumë fruta, nuk mund t’i bësh dot naze sidomos frutave.Frutat si molla, portokalli,pjeshkat, banania dhe frutat e thata janë ato që konsumojmë më shpesh.
Cili është ushqimi yt i preferuar?
Unë jam një fanse e madhe e prodhimeve të detit.Peshku më pëlqen shumë ndaj e konsumoj dy herë në javë.
Kam vënë re shpesh që studentët për shkak të limitit kohor preferojnë të hanë ushqime të shpejta pra fast food? A bën pjesë dhe ti te ky grup?
Ndonjëherë i konsumoj për shkak të kohës së limituar, por është gjë që nuk e dëshiroj ndaj përpiqem ta evitoj sa më shumë.
Mund të më përshkruash regjimin tënd ditor
Mëngjesi është shumë i rëndësishëm.Një sportist nuk duhet të dalë asnjëherë pa mëngjes.Mund të përfshij vezën e zier, qumështi që është numër një gjithashtu djathi dhe drithërat.
Në drekë ha zakonisht gjellë.Gjella është kryesorja dhe gati çdo ditë duhet ta konsumojmë.
Ndërsa në darkë konsumoj shumë fruta, zakonisht preferoj të ha dicka të lehtë.
Gatuan ndonjëherë vet apo preferon ta gjesh tryezën gati?
Më pëlqen shumë të gatuaj, por për shkak të kohës dhe pas stërvitjes jam shumë e lodhur preferoj ta kem tryezën gati nga ime më.
Cila është receta që dini të bëni më mirë?
Më pëlqen të gatuaj ëmbëlsirat.
Intervistoi: Xhensila Nako