Rehania është një pije freskuese që së bashku me produkte si nardeni, pistili, pekmezi, mushti, uthulla përgatiteshin fill pas prodhimit të rakisë, verës, reçelrave, glikove dhe bukëfiqeve. Asgjë nuk shkohej kot. Çdo pjesë e frutit "shfrytëzohej" për ta sjellë apo "kullandrisur" në një mënyrë të re dhe e përdorur në receta të reja që amvisat apo zonjat e shtëpive shqiptare krijonin.

Rehania prodhohej falë shtypjes së rrushit apo kumbullave majoshe (të egra), dhe sëbashku me sheqerin, zihej dhe mëpas kullohej disa herë. Shurupi zihej derisa bëhej më i trashë dhe të arrinte një ngjyre vishnje (në rastin e rrushit), më pas futej nëpër shishe apo bucela balte. Rehania shërbehej duke u shtirë në gota dhe duke u përzierë me ujë të ftohtë në raportin 1:3.

Rehania ka një shije të ëmbël (rrushi) apo të athët (kumbullat e egra) dhe një aromë karakteristike. Është një pije që konsumohej pasditeve të verës për të shuar vapën dhe freskuar "xhanin". Super pije për fëmijë. Skrapari është kampioni i prodhimit të rehanisë i ndjekur nga Përmeti, Leskoviku, Berati, Erseka etj.