Pak histori rreth bozës
Të paktë janë ata që e mburrin këtë pije, e akoma më të paktë janë ata që e njohin. Mban emrin ‘bozë’ dhe vjen nga fjala perse buze, që e shqipëruar do të thotë mel. Origjina e saj është shumë e lashtë e daton rreth 8000-9000 vjet më parë, pikërisht nga Mesopotamia.
Në Ballkan u bë e njohur vetëm në shekullin 13-të, ku e sollën Turqit me pushtimin e Anadollit. Kjo pije përmbante rreth 1 për qind alkool, shkak i cili bëri që Sulltan Mehmeti IV ta ndalojë së përdoruri këtë pije, sëbashku me të gjtiha pijet e tjera me përmbajtje alkooli.

Por, boza shqiptare është paksa më ndryshe, sepse nuk përmbante alkool. Ajo u bë shumë e kërkuar në shekullin e 19-të pikërisht për këtë. Por, ndryshimi më i madh i bozës shqiptare me të vendeve të tjera qëndron te një tjetër element.
“Boza shqiptare dallon nga bozat e prodhuara në vendet tjera ngaqë përbërësi kryesor i saj është misri, kurse në Turqi, Bullgari, e Maqedoni mund të jetë gruri, elbi, meli dhe qiqrat,”-tregon Edvini, i cili drejton një nga punishtet e bozës (“Boza Pacara”) në vendin tonë.

Një recetë shqiptare e njehsuar
Secili vend prodhues i bozës ka një recetë unike të prodhimit të saj. Siç edhe e përmendëm më parë, boza shqiptare përgatitet me miell misri dhe gruri, me ujë dhe sheqer. Sipas Edvinit, receta e Bozës Pacara është recetë shqiptare, e shpallur fituese në vitin 1980, si rezultat i një konkursi të zhvilluar pikërisht për recetat e bozës.
Cilësohet si një pije joalkoolike, edhe pse gjatë procesit të femrentimit prodhohet një sasi të papërfillshme alkooli, sepse boza shitet e pafermentuar. Edvini e krahason sasinë e alkoolit të bozës së fermentuar me atë të lëngjeve të frutave që kanë filluar të femrentohen, që në thelb nuk ka aftësi për të shkaktuar ndonjë efekt.
Në Shipëri numërohen disa punishte të prodhimit të bozës, ku më e njohura është ‘Boza Pacara’. Të tjerat janë pothuajse të panjohura për shkak të mosregjistrimit në përputhje me ligjin.

Jo vetëm një ‘pije dimri’
Pavarësisht se është një nga produktet më të veçanta shqiptare, boza për fat të keq njihet shumë pak në vendin tonë. Më së shumti në zonën  veriore, në Kukës dhe në Tiranë.
“Bozën tonë e shesin kryesisht në Tiranë dhe ndonjë që e blen nga rrethet e tjera po këtu në Tiranë. Në Tiranë preferohet, edhe nga ata që më parë nuk i njihnin si pije,”- shton më tej Edvini.
Në Turqi e quajnë ‘pija e dimrit’, por Edvini na tregon se në vendin tonë mund të përdoret njëlloj si në verë, ashtu edhe në dimër. Adhuruesit e saj mund ta gjejnë në të rrallë në disa ushqimore apo supermarkete në Tiranë. Shërbehet në gota qelqi, e mbuluar me qiqra të pjekura dhe kanellë. Ajo ka formën e një supe të trashë dhe hahet me lugë.

Boza, më shumë se një pije
Boza është një pije mahnitëse e cila përmban shumë probiotikë, vitamina A, B dhe E. Përfitimet shëndetësore që ofron për organizmin janë të mëdha. Ideale për njerëzit që merren me sport, për ata që kanë probleme me tretjen apo për ata të cilët vuajnë nga tensioni i gjakut.
Ka një mit në vendet e Ballkanit, se pirja e bozës rregullisht ka aftësi të rrisë gjoksin te gratë. Edhe pse nuk ka një mbështetje shkencore për këtë pohim, gratë janë të bindura se kjo funksionon më së miri. Madje, poashtu rrit prodhimin e qumështit te gratë që sapo kanë lindur.