Është një nga shefat më të mirë që kuzhina shqiptare ka dhe me të drejtë mund të krenohet me të. Dikur finalist në MasterChef, sot qëndron në krye te një restorantet më të mira dhe më të veçanta që kryeqyteti ka. Në një intervistë për Shije.al, Miklovani na tregon më shumë detaje rreth jetës së tij, profesionit dhe angazhimeve të ardhshme.

Intervistoi: Argita Kallëmbi

Si nis dita për një shef kuzhine? 

Për një shef kuzhine dita nis vrullshëm. E imja fillimisht nis me përzgjedhjen e produkteve të freskëta për pjatat e kuzhinës, të cilat i kam mirëmenduar një ditë më parë. Më pas është koha për një kafe të shpejtë me miqtë ose familjen dhe vijon në kuzhinën e Melogranos, ku së bashku me stafin sjellim pjatat më të mira për të kënaqur klientët tanë.

Ku e gjen frymëzimin për të krijuar pjatat e reja?

Frymëzimi vjen si një ndërthurje e eksperiencës dhe shijes, apo një inspirimi që vjen kur jam duke shëtitur, ose nga një pjatë tradicionale, nga një përbërës apo nga një udhëtim jashtë vendit. 

Sa e vështirë është të jesh shef?

Sigurisht të qenurit shef nuk është një profesion i lehtë. Është një pozicion që kërkon shumë energji, pasion, kreativitet, por nga ana tjetër kërkon manaxhim dhe komunikim shumë të mirë, për t’u transmetuar dhe bashkëpunuar me stafin.  Për mua është një punë që e bëj me shumë dashuri dhe stafi që kam ma lehtëson gjithnjë e më shumë punën në kuzhinë.

Një trend kulinarie që do kishit dashur të zhdukej dhe të mos kthehej më..
Nuk është se kam ndonjë trend që nuk më pëlqen. Ajo që do doja të zhdukej janë yndyra e tepërt në gatim apo të skuqurat, karakteristikë e kuzhinës ballkanase, të cilat sjellin shumë probleme për shëndetin. 

Celebriteti për të cilin ke dëshirë të gatuash

Unë gatuaj me shumë dëshirë për cilin do klient që vjen të provojë kuzhinën në restorant Melograno, pavarësisht nëse është i njohur apo jo. Nëse do kisha preferencë personale për dikë, do kisha zgjedhur të isha kuzhinier personal i tij dhe jo shef kuzhine në një nga restorantet më me emër të kryeqytetit.

Sa e lehtë apo e vështirë është të eksperimentosh me kuzhinën?

Eksperimenti në kuzhinë nuk është i lehtë, por duhet të rezultojë i shijshëm. Përbërësit duhet të qëndrojnë mirë në pjatë, të ndërthuren  mirë me njëri-tjetrin. Pjata duhet të jetë e ekuilibruar në pamje dhe në shije.

Ju ka bërë ndonjëherë dikush të qani në kuzhinë? Nëse po kush?

Ka ndodhur vite më parë, në fillimet e mia në kuzhinë ka ndodhur të kem qarë për vërejtjet që merrja nga shefi i kuzhinës.

Gjëja më e keqe e të qenurit shef...

Është një profesion që ka tension gjatë punës, po aq sa e një kirurgu në sallën e operacionit.

Gjëja më e mirë e të qenurit shef...

Pjata të shijshme, klientë të kënaqur.

Cili është hapi tjetër juaji?

Receta të reja, të cilat janë tashmë gati për restorantin tonë dhe disa plane të reja për të cilat është ende herët për të folur. Një gjë është e sigurt do sjellim shumë risi për klientët tanë.

Sa kufizuese janë fjalët pa gluten apo vegan?

Janë fjalë kufizuese në përbërës, por jo në kreativitet apo shije. 

Çfarë do gatuanit për atë..

Të preferuarën e saj, çokollatën.

A do ktheheni në Itali, aty ku duket që cdo gjë është më e thjeshtë apo do qëndroni në Shqipëri?

Të qëndruarit në Shqipëri është një zgjedhje që e kam bërë para 4 vitesh, tashmë dhe për të cilën nuk jam penduar akoma. Kam krijuar identitetin tim, familjen time dhe bëj një profesion, të cilin e adhuroj. Kthimi në Itali është e fundit gjë që më vjen. Megjithatë të ardhmen nuk e parashikojmë dot prandaj nuk do thoja asnjëherë jo.

Çfarë e dallon Melogranon nga restorantet e tjera? Cfarë mund të gjej aty që nuk e gjej në asnjë restorant tjetër?

Më preke në pikën time të dobët tani, se për mua është familja e dytë. Melograno tashmë ka një emër të vetin në treg, si një nga restorantet më të mira në vend. E dallon identiteti unik, shija italiane e ndërthurur me atë mesdhetare, menuja e veçantë dhe ambienti i ngrohtë. Është një vend ku gjen një kuzhinë cilësore, speciale, kreative, të shijshme, të gatuar me shumë dashuri dhe profesionalizëm. Sigurisht është i vetmi restorant ku më gjen mua në kuzhinë .Të sugjeroj ta provosh për të më dhënë të drejtë.

Shije.al