Një tjetër hartë e ngjyros vendin tonë me të “kuqe”, duke e cilësuar kështu problematike.
Shqipëria, sipas hartës, nuk ka asnjë (pra 0) reduktim të taksave për ushqimet bazë.

Harta, e përpiluar nga prestigjiozët britanikë Independent, bazuar në të dhënat e përditësuara të Avalara Vat, “International VAT and GST ratës 2017” tregon se Shqipëria, si dhe një pjesë e madhe e vendeve në zhvillim, kanë taksa të konsiderueshme edhe në produkte të konsideruara jetike (bazë ushqimore).

Në rast se hedhim një sy në rajon, do të vëmë re se e njëjtë “bashkëudhëtare” me ne është Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa Serbia dhe Greqia performojnë mirë, duke pasur reduktim të taksës së konsumit të ushqimeve bazë (ose të ngjashme).

 

Forumi Ekonomik Global, në raportin e Konkurrueshmërisë Globale 2017-2018, bëri të ditur se Shqipëria, ndonëse pati një përmirësim prej 5 vendesh në raport me vitin e kaluar, problematika më e madhe qëndronte te taksat. Nga analiza e detajuar e raportit theksohej se faktori më problematik për të bërë biznes, i cilësuar si i tillë nga drejtuesit e sipërmarrjeve shqiptare, janë taksat, me 21.7 pikë.  Një vit më parë, në renditjen e vitit 2016 kishte qenë korrupsioni shqetësimi kryesor, me 23.6 pikë, i ndjekur nga taksat me 21.3 pikë.

Nga ana tjetër, në gusht të këtij viti, Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së, CIA, ka raportuar për Shqipërinë se taksat komplekse mbeten problematika të theksuara, duke e ulur atraktivitetin e vendit tonë për investime të huaja.

“Kodet e taksave komplekse dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja”, shkruante Agjencia Amerikane e Inteligjencës./Artikulli i plotë i marrë nga Revista Monitor