Jo rastësisht aktiviteti i zhvilluar një ditë më parë në kuadër të Ditës Botërore të Ushqimit u mbajt nga Dhurata Thanasi, themeluese e Food Revolution Albania. Për të mësuar më tepër rreth misionit dhe organizatës joqeveritare të saj, do t’ju sugjeronim të vizitonit dyqanin “Luga e Argjendtë” pranë rrugës “Nikolla Tupe” në Tiranë, në zonën e Bllokut.
Ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim rëndom, ky dyqan vjen me produkte 100% shqiptare dhe me ekskluzivitete si shafrani i cilësisë më të mirë, që siç dëgjuam sillej nga një çift shqiptaro-italian.

Për t’ju kthyer ditës së djeshme, pjesëmarrës të cilët shenjuan Ditën Botërore të Ushqimit në Shqipëri ishin dhe emrat si: Mondi Kikino (shef dhe historian i kuzhinës shqiptare), Ilir Hysaj (shef-pasticier) dhe bloggeria e ushqimit Kristi Janku, të cilët i dhuruan fëmijëve të World Academy of Tirana (WAT) momente argëtimi dhe reflektimi mbi atë çfarë duhet të hanë, vlerave ushqimore që përmbajnë ushqimet dhe sensibilizimin për të kontrolluar produktet që blejmë.

Shije.al ndoqi më nga afër aktivitetin e zhvilluar nën kujdesin e Ministrisë së Bujqësisë dhe mesazhin për t'i kushtuar më shumë rëndësi ushqimeve bio e produkteve shqiptare.

Ditën e djeshme u theksua rëndësia e të ngrënit shëndetshëm dhe mbi të gjitha mos shpërdorimi i ushqimit. Padyshim që e gjitha kjo të funksionojë është e nevojshme një harmoni e trekëndëshit “shoqëri-familje-fëmijë”.
Food Revolution Albania, një vlerë e shtuar për shoqërinë shqiptare! 

Nga Iris Barushi

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit