Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka bërë publik ditën e djeshme, rastin e një qytetari i cili ka denoncuar se në orizin e blerë në market ka gjetur krimba dhe miza.

Lush Lushi nga qyteti i Shkodrës, pohoi gjithashtu se pas konsumimit të këtij orizi kishte përfunduar në spital.

Pas denoncimit, gazetarët e “Fiks Fare” kontrolluan pakot e orizit të vëna në dispozicion nga qytetarët dhe gjatë kontrollit rezultoi se ato ishin të mbushura me miza. Madje, në një nga qeset u gjetën edhe krimba. 

Përballë situatës alarmante, “Fiksi” iu drejtua edhe kompanisë “Hodaj”, e cila ishte përgjegjëse për ambalazhimin e këtij produkti ushqimor. 

Administratori i kësaj kompanie, Aleksandër Sallata ia hodhi përgjegjësinë për këtë rast poseduesve të marketeve, duke pretenduar se e kanë ruajtur në kushte të këqija. 

“Ne nuk ambalazhojmë dhe nuk tregojmë oriz me miza, por ato janë krijuar nga kushtet jo të përshtatshme të mbajtjes. Për këtë nuk ka përgjegjës, pasi ndodh që mizat të krijohen më vonë dhe kur konstatojmë raste të tilla, ne e tërheqim mallin. Pasi e dezinfektojmë, e sitim sërish dhe e riambalazhojmë”, tha Sallata. 

Sipas tij, aktualisht në magazinat e kompanisë së tyre nuk ndodhet më ky ambalazhim. Kompania deklaroi se kjo ka ndodhur shumë rrallë, ndërsa kur verifikohen AKU thjesht thjesht kërkon tërheqjen e mallit dhe nuk merr asnjë masë./Marrë nga Top Channel