Profesor Kristaq Berxholi ka ndarë ditën e sotme një fakt që sipas tij ka kohë që qarkullon, dhe i bën thirrje Ministrisë së Buqësisë dhe Ministrisë së Brendshme për të vepruar sa më shpejt. Po flasim për qingjat dhe kecat të infektuar me brucelozë, që sipas Z.Berxholi, emigrantët shqiptarë i sjellin nga Greqia dhe kalojnë pa problem në doganën shqiptare.

Me anën e një reagimi në Facebook, Berxholi shprehet: “Sot Z. ... më tregonte....Një problem i ri ka lindur, me thoshte një miku im. Nuk është se nuk zgjidhet, por duhet filluar që nga Dogana. E di që nuk e besoni, pasi dhe unë kështu nuk besoja, por ja që tani mund të të jap dhjetra fakte, madje dhe me emra nëse dëshironi. Ka filluar te behet shqetësues fakti që po na vine qengja e keca nga Greqia me brucelozë. Emigrantet shqiptare i sjellin që andej, pasi greket u’a japin falas”- shprehet ai.

Çfarë është bruceloza?

Bruceloza shkaktohet nga baktere të gjinisë Brucella. spp. dhe shoqërohet me ethe të larta ciklike. Sëmundja është e përhapur në kafshë, kryesisht te bagëtitë e imëta dhe transmetohet te njerëzit përmes kontaktit me kafshët e sëmura dhe produkteve të bulmetit. Te njerëzit sëmundja është kronike dhe mund të shkaktojë artrite, probleme në sistemin e qarkullimit të gjakut, sterilitet te meshkujt etj.

 Në qumështin e ftohtë mund të jetojnë me javë, kurse në gjalpin dhe djathin e njomë jetojnë për 1-2 muaj. Lëndët dezinfektuese veprojnë mjaft mirë mbi brucellat.

Kjo është një sëmundje e kudondodhur në të gjithë botën, sidomos në pellgun e detit Mesdhe, në Afrikë, Lindjen e Mesme, Azi dhe Amerikë. Në Shqipëri, si në të gjitha vendet e Mesdheut, sëmundja ka ekzistuar gjithmonë, në të gjitha kohërat.

Tek kafshët Bruceloza ka prekje gjenitale, gjë që shpjegon dhe manifestimin kryesor të saj që janë dështimet e kafshëve. Bartshmëria e infeksionit është e zgjatur (shumë vite). Rastet me brucelozë janë shtuar shumë pas viteve 90, si midis bagëtive, ashtu edhe midis njerëzve.

Ato u vunë re sidomos te emigrantët e kthyer nga Greqia. Bagëtitë vazhdonin të qarkullonin në kufijtë shtetërorë pa kontrollin e nevojshëm. Prandaj dhe u shfaqën më tepër në rrethet kufitare si Korça, Gjirokastra, Vlora e deri në Kukës e Kosovë.

Burimet e sëmundjes: produkte të bulmetit të papasterizuar, djathi i njomë, salca e kosit, qumështi i freskët dhe nënprodukte të tjera të papërpunuara të qumështit./Shije.al

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit.