Suela Demiri ngre supet dhe numëron traditat e qytetit ku ka lindur e është rritur.  “Jam nga Korça dhe emri i qytetit flet vetë. Është traditë, trashëgimi, respekt i madh për ushqimim. Nuk gatuajmë për të ngrënë, por për të shijuar”.
Dhe me këtë i ka thënë të gjitha, pavarësisht se e ka kapur koha e tallonit dhe rradhave të gjata për një shishe qumësht.
Me këtë, Suela ka treguar edhe për veten, vajzë e një familje të madhe, ku ushqimi nuk përmblidhte vetëm detyrimin e vakteve të domosdoshme për të ushqyer trupin.
Dhe si një korçare e mirë, merita është padiskutim e mamasë. E asaj gruaje që e kujton me përparësen lidhur pas belit duke holluar petat e byrekut, apo duke përgatitur tavat e shijshme, që prezantuesja kishte për detyrë t’i çonte e t’i merrte nga furra.
E kujton duke rrëfyer gojëdhëna e përralla ndërsa gatuante, çka për një vajzë të vogël, veçse ia shtonte shijen ushqimit të mirë.

Nëpër këto kujtime përkundet Suela Demiri, ndërsa kthehet pas në kohë për të kujtuar vitet e fëmijërisë.
Njeh sakrificat e prindërve, me pesë vajza për të rritur, për të siguruar një kilogram mish apo gjalp më shumë.
Mban mend rradhët e gjata për fruta e qumësht, siç nuk do të harrojë kurrë edhe rrugën drejt Pogradecit, bashkë me prindërit, për të blerë peshk, ndoshta më i lehtë për t'u gjendur asokohe.
Ama, sot është e vetëdijshme se këto sakrifica ia kanë vlejtur: sepse në familjen e saj, qoftë edhe në ato vite të vështira, hahej shendetshëm; sepse, siç i ka hije një familje korçare, menuja ishte e pasur dhe sot, edhe vetëm duke i kujtuar ato pjata, tundimi për t’i provuar është i madh.
Dhe detyrimisht kështu e ka krijuar lidhjen me kuzhinën edhe Suela. Mund ta ketë nisur duke pritur tavën të piqet ose duke ndihmuar të ëmën për të tharë petët nëpër shtëpi, ama nuk ka humbur asgjë nga tradita që lavdëron aq shumë.
E nëse kësaj i shtojmë edhe dëshirën për të eksploruar receta të reja, mund t’ju themi se do t’ju prezantojmë një amvisë për t'u pasur zili. Një kuzhiniere që gatimin nuk e quan artin e kuzhinës, por të dashurisë dhe të tillë po ia trashëgon edhe të bijës, Athiola. Është edhe ajo pjesë e këtij takimi dhe nuk përmbahet kur thotë se bashkë me të ëmën, pjesa më e bukur e ditës është gatimi.
“Më pëlqen kur bëjmë eksperimente dhe i largohemi gjellëve të gjyshes”, thotë Athiola. “Hapim internetin dhe zbulojmë receta të pabëra në Shqipëri, jacket patatoes, të tipit britanik, sushi që është pika ime e dobët apo sorbeto të të gjitha shijeve dhe frutave”. Ky i fundit u del pak i hollë dhe zakonisht përfundojnë tek restoranti poshtë pallatit, ama mundohen. “Mua më pëlqen peshku me salcë kërpudhash që gatuan mami, midhjet me guackë dhe hudhra, sallata e saj me patate, angjinaret me domate apo supa me finok”. Ndërsa Athiola ka detyrë të zbukurojë pjatat me çfarë t’i thotë imagjinata. “Deri edhe me trëndafila dhe lule të tjera të verandës, mjaft që t’i laj mirë”, thotë e vogla. Fundja të trashëguarit e këtij pasioni, vetëm këtë formë mund të ketë...

 

1- A e mbani mend kur u futët për herë ta parë në kuzhinë që të ndihmonit nënën/gjyshen tuaj?

Patjetër. Gatimi ka qenë një pjesë shumë e rëndesishme e jetës në familje. Vitet e fëmijërisë sime karakterizohen edhe nga koha e tallonave dhe shkurtimeve në ushqim ndaj prindërit përpiqeshin gjithnjë të kompesonin mungesat me ushqime alternative. Pesë vajza për t'u ushqyer, dhe prindërit përpiqeshin që të mos mungonin vitaminat, proteinat, shumëllojshmëria e ushqimeve, por gjithçka duhej të bëhej brenda tallonit që të jepte vetëm një kilogram gjalp dhe po aq mish në muaj dhe ndonjë shishe qumësht, për të cilën duhej të mbahej rradhë e gjatë që në 3 apo 4 të mëngjesit. Ata prej kohe e kishin lënë kafenë dhe përpiqeshin ta shkëmbenin me tallonin e gjalpit për ne, pasi në atë kohë kishte njerëz që do të bënin gjithçka për pak, kafe kurse prindërit donin gjalpë ose vezë e sheqer për ne. Gjithashtu mbaj mend rradhët e tyre të gjata apo udhëtimet drejt Pogradecit për të blerë peshq. Peshku gjendej më lehtë pasi kishte njerëz që nuk e preferonin kurse prindërit tanë e bënë pjesë të menusë. Ndaj në kuzhinë, kujtimet e para vijnë nga momentet e pastrimit të peshqve, të koranit me barkun rozë, të krapeve të mëdhenj me barkun e mbushur me vezë, apo pastrimin e këmbëve të bagëtive të imta për të bërë paçe. Gjithçka që mund të gjendej në treg për të gatuar shumëllojshmëri ushqimesh dhe gjithashtu me vlera. Më kujtohen ditët e verës në tarracë kur thahej tërhani dhe petkat, kur përgatitej pastërmaja dhe specat turshi. Më kujtohet rubineti tek kadja e madhe, ku ruhej lakra arme dhe loja që bëja me babin duke përplasur e duke bërë gëzuar sikur po pinim verë, por që në fakt ishte lëngu i shijshëm, oreksndejelles i turshisë.

2- Mamatë janë ato që përpiqen t’i mësojnë vajzat e tyre që t’ia dalin mbanë në kuzhinë. A ka ndodhur kështu dhe me ju?

Patjetër. Një mama dhe katër motra. I ndiqja me vëmendje kur hapnin petët për lakror çdo mëngjes të diele, apo gatuanin tavat e mrekullueshme me patate e speca me oriz dhe unë që duhet të shkoja tek furra e lagjes për të pjekur tavën. Kujtoj lopatën e furrxhiut që kujdesej të piqte mirë tavën, sipërfaqet e skuqura të patateve kërcitëse, orizin e zverdhur në të kuqërremtë, petët e fryra të byreqeve të të gjithë lagjes. Duart që më përvëlonin kur çoja tepsinë në shtëpi, grindjet në lagje kur ndonjë tavë ngatërrohej, aromën ndjellëse që të tundonte gjithë rrugës të këputje ndonjë copë.

3- Cilat receta ju ka mësuar mamaja të gatuani?

Të gjitha recetat në fakt, të gatimit tradicional. Nuk harroj dot pulën me thërrime ose lëng siç e quajnë këtu, qoftet me mishm apo me presh, apo me patate, hallvën që ndërsa e gatuante ajo e shoqëronte me tregime të turqve, vajzave të bukura që hidheshin nga bedenat, Ali Pashë Tepelenën. Se mamaja ime tregonte përralla shumë të bukura. Këtej piqej mielli e këtej rrëfenja dhe imagjinata që shoqërohej me aromën e mirë. Edhe tani kur ha hallvë, më vjen ndërmend ndonjë turk që vringëllin shpatën.

4- A ju kujtohet hera e parë që gatuat bashkë me mamanë tuaj? Çfarë përgatitët?

Kujtimet ndërthuren me njëra-tjetrën... Më kujtohet kur gatuanim lakrorët dhe ajo më lejonte që unë të hidhja gjellën brenda petëve dhe pastaj të lëpija çdo gjë që kishte mbetur në tenxhere, apo thyeja vezët për pengjir dhe pastaj lëpija rrahësen me brumin e shijshëm; më lejonte të përdorja makinën e mishit për të grirë mishin për qofte, ose me jepte hokllainë (petësin) për të hapur petë, ndërkohë që ajo piqte petë të tjera për petanikun me fasule. Unë hapja petët në të gjithë shtëpinë që të thaheshin sa më shpejt. Kështu pra, punoja si ndihmëse e vogël.

5- Çfarë gabimesh bënit më shumë në fillimet tuaja në kuzhinë?

Shumë kripë ose qepë jo të grira hollë. Pjesa që urreja më tepër ishte grirja e qepëve ose lëvozhga vezësh...

6- Ndryshimi mes kuzhinës së gjyshes dhe të mamasë?

Oh, gjyshja ime e dashur. Po, ajo gatuante gjithçka bio dhe nuk vuajti nga shkurtimet e ushqimeve. Kishte gjalpin e mirë, vajin e mirë, jetoi në një shtëpi të madhe dhe jo në një apartament alla sovjetik. Kishte oxhakun e madh, ku vendoste çorbën me fasule me ngjyra. Gatuheshin ngandalë dhe ajo më jepte mua tasin më të bukur prej balte se e dinte që ishte gjella ime e preferuar

7- A ka ndonjë pjatë të mamasë që do ta veçonit dhe që e shijonit më shumë?

Pula me thërrime, kulaçi me gjel, lepuri me qepujka, qoftet me presh, supa e prerë me vezë, supa me patate, trahanaja e saj e mrekullueshme, pispilia etj...

8- Çfarë është për ju gatimi?

Unë them, arti i dashurisë. Gatuaj për atë që dua.

9 -Origjina juaj, sa ndikim ka pasur tek ju përsa i përket kuzhinës?

Ndikimin më të madh të mundshëm. Jam nga Korça dhe emri i qytetit flet vetë. Është traditë, trashëgimi, respekt i madh për ushqimim. Nuk gatuajmë për të ngrënë, por për të shijuar, për të marrë lavdërimet e atyre që jua servirim.

10- Cili është specialiteti juaj në  kuzhinë?

Lepuri me qepujka dhe supa e peshkut nga ushqimet tradicionale. Ndërkohë pëlqej shumë që të eksperimentoj gjithçka interesante që gjej në internet.

11- Cila ka qenë receta më e vështirë që keni gatuar?

Nuk ka asgjë të vështirë. I vështirë për mua është vetëm procesi i pastrimit të perimeve apo mishit ose peshkut. Pastaj çdo gjë fluturon...

12- Gatuani me receta fikse apo eksperimentoni duke shtuar diçka nga vetja?

Shtoj gjithnjë ose përshtas. Varet nga çfarë kam në frigorifer.

13- Ndërsa gatuani, çfarë ka në sfond: Muzikë, lajme, emision apo asgjë?

Muzikë gjithmonë dhe vetëm muzikë, dhe patjetër muzikë!