Tërheqja e ujit ka nxjerrë në dritë pasojat e para të dëmeve të përmbytjeve që shkaktoi Vjosa në Fier e Vlorë.  Banorët e fshatit Kafaraj u bënë të famshëm në të gjithë vendin për kultivimin e luleshtrydheve, por përmbytjet thonë se u kanë shkatërruar investimet e nje jete.

“Banorët i kanë hedhur ato lekë aty dhe nuk dinë ku të plasin kokën, nuk dinë nga të marrin për tu ushqyer. Ca ishte në prodhim, ca në pritje të prodhimit dhe serat siç i shikoni janë të shkatërruara totalisht”. 

Vërshimi i ujrave ka rrëzuar rreth 80 % të serave, duke shkatërruar kulturën e luleshtrydhes që prisnin ta nxirrnin së shpejti në treg.

Ndërsa theksojnë se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet e dy viteve më parë, fermerët e Kafarajt presin të ndjejnë dorën e shtetit.

“ Deri sot nuk është bërë asgjë, ne kërkojmë një mbështetje të vogël. Një të vogël fare që të themi se qeveria na mbështeti. Po vlerësohen ata që u njomen çorapet atje lart njësoj me ne. Duam një javë të futemi brenda”, - shprehen banorët. 

Fieri, Vlora e Fushë Kruja ishin tre nga zonat më të prekura nga përmbytjet që përfshinë vendin./Burimi:Ora News