Janë zhvilluar gjithsej tetë trajnime informuese dhe pjesë e tyre ka qenë edhe doktoresha obsestër-gjinekologe në Maternitetin “Koço Gliozheni” Mimoza Keta. Trajnimi ka përfunduar, por doktoreshë Moza do të udhëtojë për disa të shtuna radhazi sërish në komunën Tregan për të bërë ekzaminimet dhe testet e duhura tek gratë e kësaj komune. Të gjitha falas.


Dr. Moza cilat janë simptomat që një femër duhet të ketë parasysh për të kuptuar nëse ka ndonjë problem në gjirin e saj?


Hapi i parë që bëhet është këqyrja e gjirit, ekzaminimi me sy i gjirit të tyre. Duhet të qëndrojnë të zhveshura nga mesi e lart përpara pasqyrës dhe të observojnë gjirin e tyre. Nëse vënë re ndryshime në gjoks, për shembull kur njëra thithkë e gjirit është e futur brenda dhe tjetra është e dalë. Mundet që nga njëra thithkë të ketë sekrecione që mund të jenë të ujshme, me ngjyrë dhe të errëta si gjak. Së fundmi, lëkura e gjoksit përgjithësisht është e lëmuar, por nëse vënë re se lëkura e gjoksit është bërë poroze si lëkura e portokallit, atëherë duhet menduar që ka diçka jo të mirë që nuk shkon.


Nëse shquajnë ndonjë kokërr të ngjashme me një kokërr ulliri me konture jo shumë të rregullta, por që lëviz dhe është e padhimbshme, pikërisht kjo duhet t’u bëjë përshtypje grave.


Ndonjëherë, është kjo arsyeja që ata drejtohen tek mjeku për konsultë. Dhimbja e gjoksit jodomosdoshmëritsht vjen si rezultat i shfaqjes së kancerit të gjirit. Por asgjë që nuk shkon me trupin tuaj nuk duhet neglizhuar.  Këto janë disa nga shenjat që duhet të ketë parasysh gruaja për të vlerësuar gjirin e saj.


Çfarë ndikon në zhvillimin e kancerit të gjirit?


Janë disa faktorë risku. Në qoftë se nëna, motra, tezja apo halla kanë pasur më parë një kancer të gjirit atëherë ai mbetet një faktor i madh riskues. Pra, trashëgimia mbetet një faktor kryesor. Ndaj gratë duhet të bëjnë patjetër vetëekzaminimet dhe ekzaminimet ekografike gjatë gjithë kohës. Një faktor i dytë që duhet të vlerësojnë është pasja e kancerit në njërin gji, por që i është hequr dhe për momentin nuk ka asnjë problem, atëherë shfaqja e kancerit në gjirin tjetër do të jetë një faktor rreziku madhor.


Gjithashtu, gratë të cilët kalojnë postmenopauzën, riskojnë më tepër për kancer të gjirit. Megjithatë, sot vihet re një ndryshim edhe tek vajzat e reja, por që nuk është i përhapur kaq shumë. Përvëç moshës, faktor tjetër ëshë edhe lindja apo pariteti. Gratë të cilat nuk kanë lindur dhe gjiri nuk e ka kryer funksionin e tij të gjidhënies, atëherë edhe ky është një faktor riskues që këto gra të preken nga kanceri i gjirit.Ndërsa faktorë minorë me rrezik më të vogël janë duhani dhe alkooli. Sigurisht që dëshira ime është që asnjë grua të mos përdorë duhan dhe alkool, por kjo mbetet thjesht dëshira ime.


Ndodh që rastet të pikasen më shpesh që në fillimet e shfaqjes së kancerit apo pasi ai ka evoluar faza e tij? 


Problemi është që ne duhet të ngremë zërin jo vetëm si mjekë. Unë flas në ktë rast si mjeke, por flas edhe si grua. Duhet që të gjithë ti bashkohemi atij parakalimi që bëhet në Shodër, që bëhet në Tiranë që të gjitha gratë të ecin për të luftuar dhe për të treguar që ne luftojmë kancerine  gjirit. Kjo ecje do të thotë që ne të sensibilizojmë veten tonë. E gjitha kjo do të thotë që të bëjmë vetë ekzaminimin e gjirit. Pra, nëse ne arrijmë të ekzaminojmë gjirin tonë, atëherë në këtë rast do të arrijmë ta kapim në faza më të hershme kancerine  gjirit.


Duhet të dini qe kapja e ndryshimeve kanceroze në faza shumë të hershme shpëton një jetë. Është njësoj si ta krahasosh me një bimë të vogël, e cila nëse mbin ti e heq me gjithë rrënjë ajo nuk k se si të shfaqet përsëri. Në të kundërt, sado të presësh trungun, disa rrënjë do të ngelen. Kryesisht është më mirë të parandalosh se sa të trajtosh.


Kush janë grupmoshat më të prekura nga kanceri i gjirit?


Grupmoshat më të prekura nga kanceri i gjirit janë kryesisht gratë pas moshës 40-vjeçare. Pikërisht pas kësaj moshe fillon një ekzaminim tjetër i gjirit që quhet mamografi.


Sa herë në vit duhet që femrat të bëjnë kontroll tek gjinekologu për tu siguruar që ato nuk vuajnë nga një problem i tillë?


Pas moshës 20 vjeçare rekomandohet bërja e ekografisë së gjirit një herë në vit dhe vetëekzaminimi i gjirit çdo muaj pas menstruacioneve. Ndërsa ekzaminimi një herë në tre muaj tek mjekët e familjes sepse sot është futur në masë ekzaminimi i gjirit edhe tek ata. E kërkojnë me kartelë, e kërkojnë me domosdoshmëri që gruaja të drejtohet tek mjekët e familjes fillimisht, duke bërë vizitë një herë në tre muaj tek ky i fundit. Mamografia rekomandohet të bëhet një herë në dy vjet, siç e thamë pas moshës 40-vjeçare. Është një ekzaminim grafik që vlerëson në mënyrë optimale kancerin e gjirit.


Në cilën moshë bëhet më agresiv kanceri i gjirit?


Zakonisht kanceri i gjirit bëhet më agresiv pas moshës 50-vjeçare.


A ndikon dieta ushqimore në shfaqjen e kancerit të gjirit?


Janë disa teorira të ndryshme që ekzistojnë konkretisht. Mungesa e disa lloje vitaminash, kryesisht vitaminës A, E. Diskutohet sot në botë mbi teori të pakonfirmuara ende që vlerësojnë ushqimin si faktor për praninë e kancerit të gjirit. Ne prandaj themi gjithmonë për një dietë e ushqyeshme për të gjitha gratë, ku nuk mungojnë vitaminat dhe proteinat me qëllim që të luftojnë kancerin e gjirit.


Sa ndikon diagnostifikimi në parandalimin e sëmundjes?


Nëse kapet në fazat e hershme si kanceri i gjirit edhe ai i qafës së mitrës janë plotësisht të shërueshëm. Shpëtoni jetë duke ekzaminuar gjirin tuaj.


Si trajtohen rastet emergjente?


Zakonisht rastet emergjente ne i trajtojmë pasi i drejtojmë fillimisht në spitalin onkologjik, ku mjekët senologë patjetër bëjnë ndërhyrje kirurgjikale të domosdoshme për ato gra. Ka disa lloje ndërhyrjesh. Mund të bëhet fillimisht ndërhyrja kirurgjikale dhe pastaj të bëhet kimioterapia dhe rrezatimi ose mund të bëhet rrezatimi, zvogëlohet masa dhe pastaj bëhet ndërhyrja. Këto vendosen nga mjekët kirurgë dhe ato senologë.


Sa është numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit?


Asnjë shifër e saktë sot nuk thuhet, por rreth 350 deri në 400 gra diagnostikohen me kancer gjiri në Shqipëri në vit.


Kujdesi që duhet të kenë gratë që të mos preken nga kanceri i gjirit?


E përsëris edhe një herë me gërma të arta “ Vetëekzaminoni gjirin tuaj. Nëse vini re diçka që nuk shkon me gjirin tuaj drejtohuni tek mjekët. Kjo është ajo që ne duhet ta themi gjithmonë me zë të lartë.

Bisedoi: Genta Dobra