Shqipëria, në raport me vendet e tjera të rajonit ka rendimentin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave, me 28% të Prodhimit të Brendshëm bruto.

Performancën më të mirë e ka Serbia, që pret të mbledhë të ardhura të barabarta me 41.85% të asaj që ekonomia e vendit prodhon në një vit. Më pas renditen Mali i Zi, me 40.5% të PBB-së, i ndjekur nga Maqedonia me 32.7%.

Ndonëse Serbia kryeson për mbledhjen e të ardhurave, nuk është aq eficiente në shpenzime dhe investime. Sipas tabelave të konsoliduara të buxhetit të qeverisë së përgjithshme, publikuar nga Ministria serbe e Financave, të ardhurat ishin 43.8% e PBB-së dhe shpenzimet 45%. Teksa ka luksin për shpenzime të larta, 40% e PBB shkojnë si pagesa korente.

 Paga mesatare në sektorin shtetëror në Serbi, sipas Institutit përkatës të Statistikave serbe, është rreth 620 euro, ndërsa në Shqipëri 440 euro, sipas INSTAT.

Mali i Zi është shteti që shpenzon më shumë për investimet kapitale, teksa ky tregues parashikohet në 7.5% të PBB-së në buxhetin 2017, sipas strategjisë fiskale 2017-2019, publikuar nga Ministria përkatëse e Financave.

Sipas kësaj strategjie, Mali i Zi po i kushton vëmendje të veçantë krijimit të kuadrit për nxitjen e inovacionit dhe shkëmbimit të njohurive, si dhe për të forcuar lidhjet midis institucioneve shkencore dhe kërkimore dhe sektorit real.

Mali i Zi thekson në strategji se, në orientimin e politikave e shpenzimeve publike i kushton vëmendje të veçantë turizmit. Objektivi primar i politikës së zhvillimit të turizmit është që Mali i Zi të bëhet destinacioni i turizmit të lartë gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim kërkohet forcimi i mëtejshëm i konkurrencës, përmirësimi i infrastrukturës së turizmit, kapaciteteve akomoduese, përmirësimi i lidhjeve dhe aksesi në destinacion, tejkalimi i sezonalitetit, zvogëlimi i disbalancës rajonale dhe shkurtimi i periudhës së kthimit të investimeve në industrinë e turizmit përmes taksave dhe lehtësimeve të tjera dhe nxitjeve për investitorët.

Shpenzimet kapitale të Maqedonisë janë mesatarisht 3.7% e PBB-së, ku prioritet i jepet infrastrukturës, edukimit (investimit në shkolla) dhe përmirësimit të kushteve për të bërë biznes, me synim nxitjen e potencialit për t’u rritur të sektorit privat dhe krijimit të vendeve të punës, sipas “Programit Ekonomik të Reformave të Maqedonisë, 2017”, publikuar nga Ministria e Financave e Maqedonisë.

Marrë nga Monitor.al