Quhet Uarda por të gjithë e njohin si Addas’all. Vjen nga një familje e thjeshtë tiranase dhe ka mbaruar studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Një ndër pasionet e saj të fshehura është bota e ushqimit. Kjo përkthehet në blogun e saj Addas’all dhe tek libri i saj më i fundit i quajtur: #të dielave.

Për të mësuar më shumë rreth Uardës dhe librit të saj të fundit Shije.al vendosi të bënte një intervistë me të, duke u fokusuar në tri pytje

Uarda Përshëndetje,

Shije.al si një faqe që i dedikohet tërësisht marrëdhënies së njëriut me ushqimin, nuk mund të mos e shihte me interes librin tuaj #tëdielave.

-Natyrshëm na lind pyetja: Pse ky titull dhe çfarë fshihet pas të dielave? (sigurisht pa na treguar përmbajtjen e librit)

 -Unë jam rritur në një familje ku të dielat janë të shenjta. Më kujtohet ende fëmijëria, kur zgjohesha dhe gjeja mamanë time me mëngë të përveshura duke përgatitur pite me djathë. Pra, e diela është dita ku zgjohemi vonë, gatuajmë për të ftuarit apo miqtë, ftojmë mikeshat për nje çaj ose kafe. Të dielave është më shumë se një libër me receta, është një ritual.

-Sa punë ju është dashur deri në konkretizimin e këtij libri dhe si është pritur nga audienca?

 -Më është dashur rreth dy vite punë autodidakte. Krijo receta, gatuaj, përgatit skenën për fotografim dhe shkruaj më pas. Dhe jo çdo ditë më kanë shkuar gjërat ashtu siç kam dashur. Libri del në treg për festat e fundvitit. Jeni ju të parët  që dini sekretet e tij dhe ndaj me lexuesit tuaj një recetë nga ai. (recetën do të mund ta gjeni tek Shije.al me titull: Gjel i mbushur me bollgur dhe perime)

-E keni lartësuar ushqimin në shkallën e një himni. Keni hapur edhe një blog specifik për të. Pse kjo vëmendje e madhe ndaj ushqimit dhe a mendoni se keni marrë feedbackun e duhur, për gjithë këtë punë autentike tuajën?

-Shpërblimi  më i madh është ai emocional të cilin e marr nga njerëzit që më shkruajnë çdo ditë duke më falenderuar për recetat e mia. Nga blogu nuk marr asnjë përfitim monetar, shpenzimet për të vijnë nga puna ime primare. Mua më mjafton që me recetat e mia gëzoj dikë, jam prezente në tortën e ditëlindjes së një fëmije, përvjetorin e një çifti, darkat e festave familjare.

Ushqimi na bën të lumtur, na bën bashkë, pra le të jetë një himn për atmosferën që ai krijon në çdo familje! 

-Të falenderoj për minutat e kushtuara ndaj këtyre 3 pyetjeve. Suksese të mëtejshme në punën tënde fisnike!

 Suksese dhe ju dhe festa të gëzuara të gjithëve!

Realizoi:A.Z

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit