Derri dhe nënproduktet e tij janë shumë të zakonshme në të gjithë Kelmendin, zonë në veri të Shqipërisë që kufizohet me Malin e Zi. Rëndësia e derrit në këtë krahinë është e lidhur me përdorimin e tij si burim kryesor proteinash gjatë periudhës së dimrit në zonën me 99% popullsi katolike. Mishi i thatë është mënyra më e vjetër e ruajtjes së mishit në Kelmend, e cila daton qindra vjet më parë.

Pasi i priten këmbët, pjesa tjetër e trupit të derrit pritet në copa prej 4-5 kg secila. Këto copa vendosen në një enë dhe mbulohen me kripë të zezë për 21 ditë. Deri në këtë pikë, mishi është shumë i kripur. Më pas, copat e mishit hidhen në ujë të nxehtë dhe varen në një vend të ajrosur ku tymosen për 5-6 ditë. Druri i përdorur për të tymosur mishin është më së shumti dëllinjë apo dru frutor. Pas kësaj periudhe, mishi mund të ruhet në një vend të ftohtë.

Mishi i thatë përftohet nga mishi i derrit të Kelmendit, një rracë e vogël por e dhjamosur. Pas regjimit komunist, derri i Kelmendit është kryqëzuar me nje rracë më të madhe dhe më produktive nga Mali i Zi.

Aktualisht, derri i Kelmendit ka përmasa më të mëdha dhe veshë e hundë më të madhe, por konsiderohet si më i shëndetshëm. Pesha e tij shkon nga 120 deri në 200 kg. Komuniteti është shumë i kujdesshëm në ushqyerjen e derrave, duke mënjanuar misrin dhe duke futur bimët e krahinës, krunde dhe barëra në dietën e tyre, me qëllim përmirësimin e cilësisë së mishit.

Çdo dosë mund të pjellë 8-16 gica në vit. Përdorimi i këtij mishi është veçanërisht i rëndësishëm gjatë dimrit; përgatitja e mishit të tharë dhe të tymosur fillon pas 6 dhjetorit, Dita e Shën Nikollës.

Pothuaj çdo familje në Kelmend zotëron të paktën 1 apo më shumë derra dhe produkte si mishi i skuqur gjenden vetëm në këtë zonë. Prodhimi i mishit të tharë dhe të tymosur është vetëm për konsum familjar. Rreziku i zhdukjes së këtij produkti dhe rracës së derrit të Kelmendit janë pasojë e kushteve social-ekonomike të kësaj krahine. Emigrimi i komunitetit ka çuar në rëniën e sasisë së prodhimit dhe njohjen e këtij produkti. 

Ky produkt është produkt i Arkës së Shijes, një nga projektet e Slow Food International, që ka për qëllim ruajtjen e produkteve autentike vendore./Shije.al

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit