Prej 21 shtatorit të 2016 nisi një program pilot, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me tre rrjete marketesh për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike. Arsyeja nuk kishte të bënte me fitimin që do të siguronin shitjet e qeseve, por një kauzë më madhore: Ajo e mbrojtjes së ambientit. Kjo nismë u frymëzua nga aktiviteti i Zyrës së Kombeve të Bashkuara: “Më pak qese plastike, më shumë jetë”.

Më 28 mars 2017, Bashkia Tiranë bashkë me disa nga administratorët e supermarketeve kryesore të Tiranës, nënshkruan marrëveshjen e parë për ofrimin e qeseve plastike me pagesë, e cila u vu në zbatim më datë 3 prill 2017.

Nismës iu bashkuan më 5 prill edhe 7 supermakete të tjera, duke nënshkruar marrëveshjen e radhës për vendosjen e tarifimit të qeseve plastike. Nga të dhënat e marra nga supermarketet si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit, reduktimi i përdorimit të qeseve plastike ka rënë në masën 60%. Heqja e qeseve nga përdorimi në furrat e bukës nëpërmjet kësaj marrëveshje do reduktojë 1 milion të tilla në ditë.

Së fundmi kësaj nisme iu bashkuan 800 furra buke dhe po punohen me subjekte të tjera, për të arritur rezultate maksimale.

Çmimi i qeseve plastike variojnë nga 3-5 lekë, ku ato të përmasave të vogla kushtojnë 3 lekë dhe qeset e mëdha 5 lekë. Përveç këtyre, në supermarkete mund të gjeni dhe çanta beze apo me thurje, çmimi i të cilave shkon nga 120 lekë deri në 350 lekë, të cilat janë jo vetëm praktike por edhe shumë trendi.

Prej datës 1 Janar, kësaj nisme iu bashkuan dhe vendet si Italia dhe Greqia, ku çmimi i tyre është përkatësisht: 2 cent në Itali dhe 4 në Greqi. Në Itali dhe Greqi pati një vrull reagimesh në rrjetet sociale të qytetarëve që ishin kundra për të paguar një tarifë për qeset plastike.

Shitësit e supermarketeve në Shqipëri u përballën me kundërshtime dhe refuzime nga konsumatori shqiptar dhe shpeshherë u detyruan të shkelnin ligjin, për të mos krijuar situata të pakëndshme. Megjithatë, me kohën duket se pjesa dërrmuese e kanë “përqafuar” këtë nismë. Shumë blerës kryejnë blerje me çanta personale dhe tanimë ky është një fakt, në pritje që kësaj nisme t’i bashkohen  edhe shumë qytete të tjerë të Shqipërisë.

 

Sa i përket vendeve që kanë përfaqësuar këtë nismë në botë, ja disa prej tyre:

Amerika: disa vende aktualisht e kufizojnë të blerit me qese plastike, ndërsa disa të tjera mbeten në tentativë.

Afrika: Botswana, Eritrea, Mauritania, Maroku, Ruanda, Afrika e Jugut, Tanzania dhe Uganda i ndalojnë çantat plastike ose të detyrojnë të paguash një tarifë.

Bangladesh: Një ndalim për qeset plastike u fut në vitin 2002.

Kinë: Një ndalim total ndaj qeseve plastike u zbatua në vitin 2008 dhe që atëherë përdorimi i qeseve plastike ka rënë në masën 60- 80%.

Hong Kong: Një tarifë për qeset plastike u fut në 2015 dhe përdorimi i qeseve plastike ka rënë me 90%.

Indi: India ka ndaluar prodhimin e qeseve plastike, për shkak të problemeve që shkaktojnë në sistemin e ujërave të zeza. Megjithatë, zbatimi mbetet ende për tu parë.

Indonezi: Paguhet një tarifë për blerjen e qeseve plastike.

Evropë: Pothuajse e gjithë Evropa e ka ndaluar ose ka vendosur taksë për qeset plastike.

 

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit