Përhapja e sëmundshmërisë dhe plakja e popullsisë ka rritur numrin total të jetëve të humbura në vitin 2017, me 844 persona ose 3.9%, por sakaq është shfaqur një tendencë e frikshme e vdekjeve në moshat më të reja.

Rritja e personave që humbasin jetën është më e dukshme për moshat mbi 60 vjeç duke iu referuar edhe trendit historik, por në vitin 2017 në raport me një vit më parë (2016) vdekjet shënuan rritje për grupmoshën 50-60 vjeç dhe 20-24, vjeç si pasojë rritjes e aksidenteve rrugore.

Sipas të dhënave të INSTAT në lidhje më 2017, për moshën 50-54 vjeç kishte 37 vdekje më shumë se më 2016, ndërsa për grupmoshën 55-59 vjeç kishte 54 jetë të humbura më shumë. Për grupmoshën 60-69 vjeç pati 115 më shumë të vdekur më shumë në 2017. Ekspertët e shëndetit publik pohojnë se vdekjet në moshat më të reja janë pasojë e përhapjes së neoplazmave (sëmundjeve malinje) dhe atyre kardiovaskulare.

Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, teksa në të gjitha vendet ballkanike, përveç Greqisë, ky numër ishte shumë i lartë.

Aktualisht, Shqipëria është vendi i vetëm në rajonin e Europës Juglindore, i cili ka shënuar rritje në nivelin e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës në dy dekadat e fundit. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, ky është një tregues i fazës së hershme të evoluimit të epidemisë koronare në Shqipërinë e tranzicionit, e cila ndodhi dekada më parë në vendet perëndimore. Shqipëria aktualisht paraqitet më e rënduar se vendet e rajonit, duke raportuar vdekjet për këto sëmundje 155 persona për 100 mijë banore, teksa vendet ballkanike kanë frenuar avancimin e jetëve të humbura.

Sëmundjet malinje po rriten me ritme të shpejta gjithashtu. Të dhënat e gjetura tregojnë për një avancim të lartë të sëmundjes dhe mbi të gjitha në moshat e reja. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik më 2014, 15% e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7% i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22% janë të moshës 55-64 vjeç. Një dekadë më parë, përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç.

Në vitin 2002, Instituti i Shëndetit Publik numëronte 41 diagnoza për 10 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa në vitin e 2014 u numëruan 73 persona për 10 mijë banorë. Prevalenca për mijë banorë me të sëmurë me kancer shihet të ketë shënuar rritje me 70% gjatë dekadës, sipas të dhënave spitalore.

Gratë shihet të jenë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja. Sipas të dhënave të ISHP-së, në vitin 2014, në 10 mijë gra, 88 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe në 10 mijë burra u diagnostikuan 58 me këtë sëmundje. Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm rastet e tumoreve të mushkërive, për të cilat bëjnë shkaktarë pirjen e cigares dhe ndotjen e mjedisit.

Artikulli i plotë marrë nga Monitor.al