Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe në vazhdim të masave për disiplinimin e tregtimit të mishit ka vazhduar aksionet e veta në terren, duke bllokuar të hënën në qarkun e Vlorës një sasi mishi në njësinë e tregtimit me administrator shtetasin Pajtim Gjoshi.

AKU bën me dije se gjatë momentit të inspektimit, u zbulua një karkasë mishi qengji e pavulosur dhe e pa-pajisur me certifikatë veterinare në sasinë e 5.7 kg.

“Për karkasën e gjetur të pavulosur dhe të pacertifikuar për mishin e qengjit në njësinë e tregtimit nga AKU u mor masa administrative me gjobë 100 mijë lekë të reja”, njofton AKU.

Ndërkohë, inspektorët kanë gjetur “në automjetin me targa AA 483 EC , në pronësi të njësisë së tregtimit, nëntë karkasa me mish qengji të vulosura dhe të certifikuara në masën 60.3 kg mish, të cilat po transportoheshin për konsum njerëzor, jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe pajisjes me makinë frigoriferike për mishin”.

“Gjithashtu për kushte të papërshtatshme të transportit u mor masa tjetër administrative prej 100 mijë lekësh të reja për transport të papërshtatshëm dhe jashtë kushteve higjieno-sanitare. Nga AKU është bërë sekuestrimi i dhjetë karkasave të mishit, si dhe mjetit me të cilin po transportonte kjo njësi tregtimi e mishit në qarkun e Vlorës”, sqarohet në njoftim.

Në këtë aksion të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë bashkëpunuar ngushtësisht edhe Policia e Shtetit e Qarkut Vlorë.

Marrë nga gazeta "Shqip"