Ballokumet janë një nga recetat më të kërkuara në inbox-in e Revisa Shije. Mund të jemi vonuar pak, por themi se ja ka vlejtur pasi do t'ju sigurojmë recetën tradicionale të tyre! Të gjithë sytë dhe vëmendja këtu? Le të nisim me përbërësit: 

Përbërësit:

  • 1 kg miell për ballokume,
  • 1 kg sheqer pluhur,
  • ½ kg gjalpë i shkrirë,
  • 8 vezë të freskëta,
  • 1 filaxhan kafe finjë (hiri i drurit).

Përgatitja:

Përgatitja e ballokumeve kërkon të paktën 30 minuta rrahje me dorë (lugë druri) të përbërësve. Fillimisht 20 minuta duhet të rrahim sheqerin pluhur me gjalpin e shkrirë, të cilin e shkrijmë më parë (gjalpin e shkrirë e lëmë në zjarr sa të bëhet i lëngshëm, pasi është i shkrirë vetë).

Pas 20 minuta rrahje, gjalpi dhe sheqeri marrin një ngjyrë me të hapur dhe masa duket si shkumë. Në këtë moment fillojmë të hedhim vezët një nga një dhe rrahim dhe për 10 minuta të tjera. Më pas shtojmë miellin dhe finjën, e cila ndihmon në përbërjen e shkrifët, por pak kokrrizore të ballokumit. 

Si të përgatisim finjën? Në një tenxhere të vogël hedhim 200 ml ujë dhe e lëmë të ziejë. Sapo uji zjen shtojmë dy grushta hi (prej hirit të krijuar nga djegia e druve), e heqim tenxheren nga zjarri dhe e lëmë masën të kullojë. Kur hiri ka kulluar në fund të enës, marrim një filxhan kafe nga kjo masë për t’ja shtuar brumit të ballokumeve (për 1 kg miell).

Brumi është gati. Përpara sesa të fillojmë të bëjmë topthat e ballokumeve, e lëmë pak brumin të rrijë në qetësi. Lyejmë një tepsi me vaj, lyejmë dhe duart tona me vaj dhe i shtrojmë në mënyrë të tillë në tavë.

Pjekim në furrë të nxehur më parë, në 180 gradë, derisa të marrin ngjyrën e artë. Përpara se t'i heqim nga tava i lëmë ballokumet të ftohen që mos të na shkërmoqen nëpër duar. Ju bëftë mirë!

 

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit​