Doni të bëni figurë me një tryezë të shtruar siç duhet? Të gjithë e dimë, edhe shtëpiaket më të përgatitura ndodh të kenë dyshime sesi duhet shtruar tryeza për një drekë a darkë të rëndësishme. Në fakt janë disa rregulla që duhen ndjekur që shpesh krijojnë pështjellim. Për tu qartësuar ju ndihmon Revista Shije!

Na ndiqni!

Në fillim pyetja: sa të ftuar keni? 10? Cilido qoftë numri i njerëzve për darkë, filloni me zgjedhjen e tavolinës së duhur (mos ftoni një numër shumë të madh miqsh nëse tryeza juaj është shumë e vogël). Mbani mend se mes të ftuarve nuk duhet të ketë as distancë shumë të madhe dhe as të mos jenë ngushtë (askush nuk do që ta godasin me bërryl).

Si duhet t’i vendosni të ftuarit:

Në të dy pjesët e ngushta të tryezës, qëndrojnë të zotët e shtëpisë, burri dhe gruaja përballë njëri- tjetrit. Në krahun e djathtë të zonjës së shtëpisë zotëria më i rëndësishëm i ftuar në darkë. Djathtas të zotit të shtëpisë, zonja më e rëndësishme e ftuar në darkë, që teorikisht është bashkëshortja ose shoqëruesja e zotërisë më të rëndësishëm. Majtas zonjës së shtëpisë zotëria numër dy për nga rëndësia, majtas të zotit të shtëpisë zonja numër dy për nga rëndësia. Të ftuarit e tjerë midis, varësisht numrit të të ftuarve, vihen të alternuar një burë dhe një grua.

Pasi keni përcaktuar vendet merruni me tryezën:

Zgjidhni fillimisht një mbulesë plastike (zonjat e kujdesshme duan të jenë të sigurta që edhe nëse derdhet një pije së paku nuk do ta dëmtojë tavolinën). Mbi të shtroni mbulesën e përshtatshme për rastin.

Vini pjatat (porcelan ose qeramikë) përpara karriges së cdo të ftuari: pjatë e cekët e gjerë në fund fare, pjatë e cekët më e vogël se e para për antipastën mbi të madhen, pjata e vogël dhe thellë e supës  e treta në radhë.

Vendosni pecetën  në krahun e majtë. Por mund ta vini edhe mbi pjatë ose të lidhur bukur brenda gotës së ujit.

Takëmet, prej argjendi ose çeliku, vendosini si më poshtë: majtas pjatave pirunjtë sipas radhës së përdorimit më larg piruni që përdoret i pari dhe më afër pjatave ai që përdoret i fundit; djathtas pjatës  luga e supës  më larg pjatës meqë përdoret e para, thika e antipastës që përdoret e dyta, thika e mishit  që përdoret e treta; sipër pjatës piruni dhe luga e ëmbëlsirës dhe frutave.

Gotat duhet të jenë qelq ose kristal, vendosen djathtas lart: e verës është më e vogla e ujit e madhja .

Majtas lart, pjata e bukës me thikën e posaçme.

Kujdes: thikat duhet të jenë të vendosura me tehun e kthyer së brendshmi, nga ana e pjatave.

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit​