Siç ju kishim premtuar, recetën e ballokumeve për Ditën e Verës jua dhamë! Por për të gjithë ata që "nuk guxuan" t'i përgatisnin, ne ofrojmë recetën e gurabijeve me rrush të thatë. Të shijshme dhe njëkohësisht të lehta në përgatitje, jemi të bindur se do t'ju pëlqejnë shumë! 

Përbërësit:

  • 250 gr margarinë,
  • 1 vezë, 
  • 1/2 limon i shtrydhur,
  • 1 pluhur pjekje,
  • 1 gotë çaji sheqer pluhur,
  • 150 gr rrush të thatë,
  • 150 gr lajthia,
  • 2 gota miell.

Përgatitja:

  1. Shkrini margarinën dhe e vendosni atë në një enë të thellë.
  2. Më pas shtoni vezën, sheqerin, lëngun e limonit, pluhurin pjekjës dhe së fundmi miellin.
  3. Pasi ta përzieni mirë brumin, i shtoni rrushin e thatë, lajthitë dhe e përzieni sërish.
  4. Nga brumi ndani copa të vogla, prijini dhe i jepni formë katrore. 
  5. Gurabijet i lyeni me të kuqen e vezës dhe i vendosni në furrë për pjekje në temperaturë 180 gradë celsius. Ju bëftë mirë!

 

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit