Pranvera ka mbërritur. Zahiretë tashmë janë në përfundim e sipër, pra filloni t’i zëvendësoni ato me produkte të freskëta, super të ushqyeshme, që do t’ju ngrenë humorin, do t’ju mbushin me energji dhe do të përmirësojnë metabolizimin tuaj. Pranvera është e pasur me produkte dhe zgjedhjet janë të shumta, por unë po rendis më poshtë “një dorë” produktesh që i kam shumë për zemër dhe që janë, jo vetëm të shëndetshme, por dhe shumë të shijshme.

Shpargujt:

E dinit se diferenca midis shpargujve jeshilë dhe atyre të bardhë qëndron vetëm në faktin se, jeshilët kanë mbirë në vende me diell e për pasojë preken nga drita e tij, kurse të bardhët jo? Ata janë një burim shumë i mirë vitamine B, C dhe hekuri. Kulmi i sezonit të tyre është në mars, por mund të gjenden në gjendje të freskët deri në fund të pranverës. Mua më pëlqejnë shumë të gatuara “al dente” në avull, e të shoqëruar me një salcë të mirë hollandeze. Gjithësesi, ato mund t’i shërbeni  në shumë mënyra. Mund të përgatisni me to supa të shijshme e të shëndetshme, salca për makarona, risotto pranverorë, garnitura për mishëra të ndryshëm, t’i inkorporoni në sallatat tuaja etj. Kini thjesht parasysh, që për të arritur rezultate të mira, futini në gatime në momentin e fundit, vetëm 3-4 minuta para përfundimit, që të ruajnë ngjyrën, aromën dhe shijen e tyre delikate.

Hudhrat e freskëta:

Shumë njerëz nuk i pëlqejnë dhe e vërteta është se nuk zënë vendin e merituar në kuzhinat tona. Kjo është për të ardhur keq, po të kemi parasysh se është një ndër perimet më të shëndetshme në qarkullim. Shija e tyre është më e ëmbël dhe e freskët se e hudhrave të thata dhe mund të inkorporohen shkëlqyeshëm në sallatat tuaja. Mua më pëlqen veçanërisht në sallata me karrota, lakër të bardhë, mollë jeshile dhe rrepa, të marinuara me një salcë të bërë me vaj ulliri, nenexhik dhe kos.

Karçofët:

Nëse ka filluar t’ju merret fryma ndërsa ngjisni shkallët, mbase është koha të fusni këtë perime intriguese në dietën tuaj. Ato janë të mbushura me magnez, një element thelbësor për më shumë se 300 reaksione biokimike në trup, ndër të tjera dhe reaksionet e çlirimit të energjisë. Sipas statistikave, mbi 68% e njerëzve nuk marrin mjaftueshëm nga ky element. Mua më pëlqejnë shumë t’i konsumoj (pasi t’i kem pastruar me kujdes), ashtu siç janë, të prera në feta shumë të holla e të spërkatur me vaj ulliri të mirë, kripë të trashë dhe piper të bluar në moment.

Ato janë shoqëruese ideale për shumë lloje mishërash dhe peshqish. Mund të përgatisni gjithashtu me to, supa dhe pure të ndryshme. Kini parasysh gjatë përgatitjes 2 detaje:

 

  • Pasi t’i keni qëruar, zhytini menjëherë në ujë me limon sepse oksidohen sa hap e mbyll sytë. Madje kaq shpejt ndodh kjo, sa mirë është që t’i qëroni me dorashka sepse do t’ju nxijnë duart.
  • Kujdes me thikën. Gjethet e jashtme i kanë shumë të forta dhe në përpjekje për t’i prerë, shumë kuzhinierë profesionistë kanë shkaktuar plagë të thella në dorën e tyre të majtë…

Luleshtrydhet:

Ato mund të mos jenë frutat me lëkurën më të lëmuar, por tuajën do ta bëjnë të shndërrisë ama… Janë plot e përplot me antioksidantë, të cilët ndihmojnë lëkurën të rikuperojë dëmet e shkaktuara nga ndotja e ambientit dhe rrezet e dëmshme të diellit. Kalojini ato në blender me pak mjaltë dhe gjethe nenexhiku dhe do të keni një salcë perfekte për ëmbëlsira të ndryshme me krem. Futini ato në sallatat tuaja dhe jepini atyre ngjyrë e gjallëri. Përdorini madje dhe në salca për mishëra delikatë dhe peshq të freskët nëse jeni tipa guximtarë… Sido që t’i bëni, bëjini një nder vetes dhe konsumoni sa më shumë tani sa janë në kohë./ Për shije.al nga Gentian Ziu

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit