Si të organizoni një piknik perfekt? Nuk ka rregulla dhe kjo është e bukura! Pikniku është një moment për të qëndruar bashkë, për t’u argëtuar, qetësuar dhe për të shijuar natyrën. Nuk duhen respektuar orare, nuk duhet shtruar tavolina dhe nuk duhet të ndjekësh një menu të caktuar, pasi nuk ekziston një e tillë për piknik.

Çdokush sjell diçka dhe hanë së bashku të rehatuar mbi një mbulesë të shtruar në tokë. Pra, përbërësit që nuk mungojnë kurrë në një piknik janë shumë të thjeshtë: natyra, miqtë dhe mundësisht një ditë me diell.

Zgjidhni ambientin që dëshironi, si në det, mal fshat ose dhe thjesht në një park të qytetit, mblidhni miqtë dhe sidomos përgatisni shportën me gjërat e mira.

Ja disa këshilla se si të organizoni një piknik të mirë sepse aty nuk ka etiketa të bezdisshme:

  1. Nuk duhet t’i vini ushqimet si në shtëpi, por gjithsesi merrni me vete gjithmonë një mbulesë tavoline.
  2. Ndoshta për një piknik romantik mund të përdorni dhe pjata, lugë pirunj dhe gota të vërteta, në rastet e tjerë përdorni plastiket.
  3. Fusni në termusë dhe enët e posaçme lëng frutash të bërë në shtëpi dhe kafe të mirë të ngrohtë.
  4. Nëse doni vërtetë të çlodheni, sillni nga shtëpia ushqim të gatuar. Barbekjutë kërkojnë në farë përgatitje dhe më shumë impenjim.
  5. Përdorni enët hermetike për të marrë me vete sallata, makaronat e ftohta dhe qoftet dhe mbështillini paninet me letër kuzhine.
  6. Merrni fruta dhe perime të stinës, të larë dhe të qëruar që të gjithë të hanë pa iu dashur të “lodhen”.
  7. Përdorini kavanozët e reçelërave për të marrë miniporcione orizi, sallata dhe makarona për të gjithë.
  8. Për të njohur pjatat dhe gotat dhe për të mos humbur kohë shkruani në etiketë përdorimin.
  9. Merrni një qese të madhe për të mbledhur mbeturinat dhe për t’a lënë lëndinën të pastër siç e gjetët. Natyra duhet respektuar.
  10. Organizoni lojëra argëtuese për të bërë së bashku dhe dëgjoni muzikë të bukur. Pastaj nëse dikush ka një kitarë për t’i rënë është dhe më mirë. 

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit