Ëmbëlsira “pasta shu” është një ndër ëmbëlsirat më të dashura për të gjithë. Por jo të gjithë dinë ta gatuajnë në mënyrën më të mirë, prandaj po ju vijmë në ndihmë me këtë recetë e cila shpjegon hap pas hapi se si të gatuani “pasta shu”.

Përbërësit:

  • 120 gr miell i bardhë
  • 120 gr gjalpë
  • 4 vezë
  • 1 kuti krem pastiçerie
  • 160 gr cokollatë e shkrirë


Përgatitja:

  • Vendosim një tenxhere në zjarr mesatar, shtojmë në të 250 ml ujë, gjalpin derisa të shkrijë dhe përzierja të fillojë të ziejë. Shtojmë miellin dhe e trazojmë me një lugë druri, derisa të formohet një masë brumi kompakte.
  • Vazhdojmë gatimin në zjarr të ulët, derisa të fillojë të shkëputet nga anët e tenxheres. Heqim tenxheren nga zjarri dhe hedhim vezët një e nga një. Përziejmë vazhdimisht masën derisa të bëhet pak ngjitëse dhe të pikojë lehtë.
  • Hedhim masën e përgatitur në një hinkë pastiçerie me majë të sheshtë rreth 1 cm. Nxehim furrën në 200 gradë Celsius. Vendosim në tavë një letër furre. Formojmë mbi letrën e furrës disa steka të gjata 8 cm, duke i lënë pak larg për të lehtësuar fryrjen e tyre.
  • Spërkasim me pak ujë stekat dhe i pjekim në furrë për 20-25 minuta. Ulim temperaturën e furrës në 140 gradë dhe i lëmë të piqen dhe 15 minuta të tjera. I lëmë të ftohen në një skarë.
  • Me t’u ftohur i presim anash në drejtimin e gjatësisë deri në 3/4 pa i ndarë në dysh. Marrim kremin e pastiçerisë, ngrejmë pjesën e sipërme të pastës dhe i mbushim. Tretim cokollatën në banjomari.
  • Duke i mbajtur pastat me një pirun nga mbrapa i zhysim 1/3 e sipërme të tyre në çokollatë. Para se ti shërbejmë i lemë të ftohen për 1 orë në frigorifer.

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit​