Nëse ju kanë mbetur pjesë të pulës së pjekur ose të zier nga një ditë më parë, mos e çoni dëm pasi ne do t'ju mësojmë si të bëni qofte me to.

"Riciklojini" duke gatuar këto qofte të shijshme me bazë mishin e pulës dhe patatet e ziera. Përgatisni edhe një sallate dhe vakti juaj mund të jetë ndër më të shijshmet që keni provuar. 

Përbërësit për 20 qofte:

  • 500gr mish pule, i pjekur ose i zierë
  • 2 patate të ziera, të shtypura
  • 2 veze
  • 4 lugë djathë kaçkavall të grirë
  • galete
  • majdanoz të freskët, të grirë hollë
  • kripë
  • miell
  • vaj farash për skuqje

Përgatitja:

  1. Presim mishin e pulës shumë hollë, me ndihmën e një thike të mprehtë (ose e kalojmë në mikser) dhe e hedhim në një enë.
  2. Shtojmë patatet e shtypura, vezët, djathin kaçkavall, majdanozin e freskët dhe pak kripë, duke i përzier shumë mirë. Nëse brumi rezulton shumë i butë, shtojmë edhe 1-2 lugë galete.
  3. I japim qofteve formën e dëshiruar, i kalojmë në miell dhe i skuqim në vaj të nxehtë derisa të marrin ngjyrë të artë nga të gjitha anët. Për një variant më të shëndetshëm, qoftet mund t'i pjekim edhe në furrë të parangrohur në 180°C për 20-30 minuta.

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit