Fërgesa, kek të përgatitur në shtëpi, byrke, biskota a pastiçe, e kështu me rradhë. Një tryezë plot me produkte të përgatitura në shtëpi nga fëmijë dhe prindërit e tyre ishin “dreka” e rradhës e servirur sot, këtë herë në Shkollën e Kuqe në Tiranë, në kuadër të nismës “Food Revolution”.
Në formën e një tryeze të madhe bashkëbisedimi dhe komunikimi, aktiviteti ishte jo vetëm një ekspoze e këtyre ushqime, por edhe u fol për to, për ushqimin e shëndetshëm, ruajtjen dhe sigurinë e ushqimit, pastërtinë dhe rregullat në gatim.
Një organizim i Dhurata Thanasi Danerit, ambasdore e “Food Revolution”,  Eldisa Lloshit, vullnetare dhe drejtoreshë e Institutit për Ndryshim dhe Udhëheqësi (Change and Leadership), me pjesëmarrjen e Ariela Strugës, eksperte e sigurisë ushqimore dhe pedagoge, aktiviteti kishte të pranishëm një nga shefat e njohur të kuzhinës në Shqipëri, Sokol Prenga.
Prenga demonstroi për fëmijët, prindërit dhe mësuesit e pranishëm, mënyrën se si mund të përgatisim në mënyrë të shëndetshme një krem çokollate të thjeshtë, duke vënë theksin tek përgatitja dhe konsumimi i produkteve tradicionale të kuzhinës, duke lënë mënjanë ushqimet e paketuara.
“Në skuadrën tonë janë dy shefa të njohur. Njëri është Armond Kikino, historian i kuzhinës shqiptare dhe Sokol Prenga, që na ndihmon me mënyrat, me teknikat e kuzhinës dhe që për këtë vit e kemi zgjedhur si ambassador nderi të ‘Food Revolution’”, shpjegon për “shije.al”, ambasadorja e “Food Revolution”, Dhurata Thanasi Daneri.

Lëvizja “Food Revolution” ka lindur në Shqipëri katër vite më parë në mënyrë vullnetare. “Ne jemi prindër që divulgojmë.  Njohim fëmijët, shkollat, ambientet. Por punojmë shumë edhe me shefat dhe operatorët e ushqimit, në mënyrë që të punohet për mirëushqyerjen, sigurinë ushqimore dhe njohjen e traditës”, vëren ajo, ndërsa shpjegon se pikërisht këto, “janë komponentët kryesorë të lëvizjes”.
“Në të njëjtën kohë mundohemi, së bashku me grupin tonë të punës, të promovojmë shumë pjesën e traditës shqiptare. Të promovojmë njohjen, vlerësimin e produkteve tradicionale dhe mbi të gjitha gatimin me to, sepse vetëm aty ti ke të përkthyer ushqimin e të ardhmes dhe teknikat e tij. Me produktet tona mund të gatuhet shumë mirë dhe shumë bukur. Këtë gjë e bëjmë në shkolla dhe mundohemi të gjithësjellim katër lëndë, që fëmijët bëjnë: fizika, biologjia, kimia dhe edukimi fizik.”
Jo më kot në aktivitete të tilla bëhen bashkë mësues, prindër, fëmijë dhe specialistë të kuzhinës dhe ushqimit.  
“Ne flasim edhe me mësues, që t’i edukojmë dhe ata, t’i mundësojmë dhe ata me këtë lloj edukimi.  Përveç Tiranës kemi kërkesa të shumta nga shkolla të ndryshme., që kanë dëgjuar për ne. Fuqia e ‘network’-ut ka bërë që të njihemi jo vetëm në Tiranë, por edhe në Kosovë, edhe në rrethe, siç është Vlora, Durrësi, Skrapari dhe në vende të tjera ku po na kërkojnë. Por mundësia jonë është e kufizuar. Deri tani gjithçka është bërë në mënyrë vullnetare dhe gjithçka e kemi sjellë ne, grupi i vullnetarëve.  Kemi pasur dhe ndihmesën e disa enteve ushqimorët”.

Ideja e njohjes së tokës, çuarja e fëmijëve në ferma, njohja e fshatit, respektimi i natyrës është mundësia që “Food Revolution” vë përballë zgjedhjes tjetër: gjërat e gatshme dhe fëmijët pasivë.
“Është hera e parë që në këto organizime tonat marrim dheë prindërit dhe mbyllet zinxhiri prindër, fëmijë, mësues, edukues, shkollë”, përfundon Daneri.

Si të përgatisim krem çokollatë në shtëpi
Sokol Prenga u demonstroi dhe u tregoi fëmijëve, si të përgatisin një krem çokollate të thjeshtë. Fëmijët u bënë vetë kuzhinierë për pak minuta, nën udhëheqjen e “master chef” Sokol Prengës.  Kushdo që nuk dëshiron të përdorë aq shumë çokokrem në ushqimin e vajzës apo të djalit, tashmë mund të lyejë bukën e fëmijës me këtë krem çokollate të bërë vetë:
Për këtë recetë duhen 400 gram gjizë pa kripë (ricotta), 3-4 lugë mjaltë shqiptar, gati 10 gram lajthi të pjekura dhe të grira dhe 3-4  lugë kakao. Në rastin konkret, Sokol Prenfa solli një risi tjetër. Mund të vemë 3 lugë kakao të zezë (sa më e zezë, aq më mirë) në   gjysmë çokollate të zezë të mirë, të shkrirë në banjomarinë. Përbërësit thjesht përzihen me një rrahës elektrik. Jetëgjatësia dhe kohëzgjatja e ruajtjes së produktit është dy-tre ditë në frigorifer.
“Është shumë e thjeshtë dhe mund ta bëjnë të tëra nënat”, komenton Dhurata Thanasi Daneri. “Është gjëja më e thjeshtë.  Shumë nëna përballen sot me këto problematika dhe ajo është shumë e mirë. Është tre- katërfish më e lirë dhe mbi të gjitha,  pa parë kostot, është shumë më e shëndetshme. Çokokremet, çokollatinat etj., janë të gjithë me shtues, me ngjyrues, me aromatizues, që i venë emra të ndryshëm për të fshehur ato palaçollëqe që bën industria e ushqimit brenda. Ne nuk po bëjmë luftë, por jemi ofertë e shëndetshme zgjedhjeje. Njerëzit pastaj, e kanë vetë në dorë të bëjnë diferencën”, komenton ambasadorja e “Food Revolution”, Dhurata Thanasi Daneri.

Shkolla e kuqe, një “mini serë” erëzash për gatim
Shkolla e Kuqe, një qendër komunitare është një ndër shkollat e Tiranës që përkrah nismat dhe organizimet pro ambientit.  Në ambientet e shkollës është ndërtuar një miniserë e vogël, ku vetë fëmijët mbjellin erëza të ndryshme për gatim, si: rozmarinë,  koriandër, nenexhik etj.  “Erëzat janë një pjesë e ushqimit, të përdorur që më parë, që nga gjyshet tona. Nëpërmjet serës, i mbjellim me fara erëzat dhe i nxjerrim në vazo. Sigurisht që ndihmojnë edhe familjet dhe prindërit, dhe i kemi shitur në kuadër të pjesëmarrjes.
 Ne duam ta zgjerojmë këtë nismë, por është e vështirë. Kemi një tarracë shumë të bukur sipër që është e pashfrytëzueshme dhe duam të bëjmë një serë të mirëfilltë, që jo vetëm të mbjellim por edhe të bëjmë orët e lira të lëndës së biologjisë, kimisë etj.”, shprehet drejtoresha e shkollës, Xhilda Tufina.  Sipas saj këtë serë brenda shkollës, mund ta shfrytëzojnë edhe shkollat e tjera të Tiranës, të cilat mund të furnizohen me fidanë.