Shoqata e prodhuesve të bukës ka paralajmëruar rritje të çmimit të bukës për shkak se nuk përfitojnë çmim të reduktuar të energjisë elektrike.

Furrat e bukës që furnizohen në tensionin e ulët kanë një çmim energjie të reduktuar prej 7,6 lekësh për kilovat/orë. Ky çmim është vendosur nga Enti Rregullator i Energjisë.

Por, sipas shoqatës së prodhuesve të bukës OSHEE nuk i fut të gjitha furrat në këtë kategori. Nëse në mjediset e punës të furrave gjendet pajisje frigoriferike, atëherë subjektet përfshihen në kontratat e biznesit normal me një çmim energjie prej 14 lekësh për kilovat orë sa dyfishi i tarifës që është për furrat e bukës. Bizneset në Elbasan thonë tarifa e lartë do të ndikojë të çmimi i bukës.

Furrat e bukës, pastiçeritë e byrektoret kërkojnë ulje të çmimit të energjisë elektrike.

Për shkak të përdorimit të njësive frigoriferike për disa shërbime të tjera, prodhuesit e bukës janë penalizuar nga tarifa e reduktuar e energjisë elektrike prej 7.6 lekë/kë. Kjo ka bërë që prodhuesit të paralajmërojnë rritje të çmimit.

Por në Durrës çmimi i diferencuar i energjisë për furrat dhe pastiçeritë ka dhënë efekte.

Nën një presion fiskal në rritje nga qeveria dhe pushteti vendor, byrektoret, furrat e tregtimit të bukës dhe ëmbëlsirave kërkojnë subvencionim nga shteti për çmimin e energjisë elektrike. Në të kundërt paralajmërojnë rritje të çmimit të produkteve të tyre.

Shoqata i është drejtuar edhe ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri ku i propozohet që për furrat e tregtimit të bukës, ëmbëlsirave dhe byrektoreve, të aplikohet një tarifë prej 8,2 lekë/kwh./Top Channel/