Si i thonë dhe fjalës “O korçare o hiç fare”, këtë na e ka vërtetuar dhe këngëtari Devis Xherahu përmes një fotoje që për hir të së vërtetës na shtin zilinë të gjithëve!

Ky i fundit ka zgjedhur lakrorin e famshëm të Korçës, recetën që aq shumë amvisa do të dëshironin ta kishin specialitet dhe traditë të tyre!

Këngëtari nuk është mjaftuar me një copë, përkundrazi! Përpara vetes ka të gjithë tepsinë dhe duket se po e shijon shumë. Foton e ka ndarë me miqtë e Instagram-it ku dhe shkruan: “Sapo doli nga saçi...Mos më flisni...E dua për vete...gjithë tepsinë”!

Nuk i vëmë faj që nuk po e ndan me njeri, me lakrorin nuk bëhet shaka!

Por ne të revistës Shije ndiejmë detyrimin që tani të ndajmë recetën me ju, meqënëse fotoja e Devisit ju shtoi nepsin! Të paktën, nga kjo histori të mos dalë asnjë i zhgënjyer!

Gati për recetën? Le të fillojmë!

Përbërësit:

  • 750 gram miell
  • 300 ml kos
  • 1 lugë çaji me kripë
  • 2 gota me ujë të vakët
  • 1 lugë kafe sodë buke
  • 1 lugë kafe maja buke
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri

Për mbushjen:

  • 6 qepë
  • 1 lugë kafe me piper të zi të bluar
  • 1 spec jeshil
  • 1 lugë kafe me rigon
  • 8 domatë të grira imët
  • 1 lugë çaji me kripë

Përgatitja:

  1. Në një tas, shtojmë miellin, majanë, sodën e bukës, kripën dhe i përziejmë mirë. I shtojmë ujin e vakët, kosin dhe fillojmë kështu të zëmë brumin. Pasi e kemi punuar mirë, e mbulojmë me një peshqir dhe e lëmë të pushojë.
  2. Tani përgatisim mbushjen. Në një tigan me vaj ulliri skuqim qepën,shtrojmë specat, domatet, kripën dhe i lëmë derisa domatja të tretet mirë. Nga fundi i shtojmë rigonin dhe piperin e zi.
  3. Tani është koha të hapim petët. Marim një tepsi dhe e lyejmë me pak vaj, që të mos na ngjisë.
  4. Marim ½ e brumit dhe hapim një petë për ta shtruar poshtë. I shtojmë gjellën që përgatitëm më parë dhe sipër i shtojmë petën e dytë. Me kujdes, mbyllim pjesët anësorë të petës.
  5. E fusim tepsinë në furrë në temperaturë 180 gradë për rreth 30 minuta. Nga fundi mund ta lyejmë me pak gjalpë dhe ta fusim përsëri në furrë. Epo ja ku e bëmë edhe ne një lakror Korçe me qepë e domate! Të na bëjë mirë!

 

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit