E ftuar sot në Radio Travel  në Ditën Kombëtare të Vajit të Ullirit ishte Znj.Silvana Subashi, Kryetare e Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit.

“Vaji i ullirit është një produkt që duhet të merret direkt në fabrikë” . Kjo është këshilla e Silvana Subashit, sipas së cilës, kjo është garancia më e madhe për konsumatorin.

"Vaji i ullirit duhet të konsumohet dhe tregtohet nga prodhuesit brenda vitit. Shqiptarët e kanë këtë mundësi që të gjejnë vaj ulliri nga fabrika. Mjafton që të gjeni fabrikën më të afërt. Zgjidhni një frut të freskët dhe të padëmtuar, kërkoni një përpunim në të ftohtë, ruajeni në enë qelqi dhe inoks, mbajeni larg dritës dhe nxehtësisë dhe mos e konsumoni më shumë se 18 muaj”. shprehet ajo. 

Znj. Silvana tha se fakti që kemi shumë ullishte në vendin tonë favorizon edhe turizmin e degustimit të vajit të ullirit në fabrikat kryesore në vend të cilat janë të paktën 270 të tilla në zona të mrekullueshme natyrore, të rrethuara me bimë e fruta të tjera që mund të përdoren për gatim.

Biseda u ndal edhe tek panairi i prodhuesve të vajit të ullirit që zhvillohet sot në hyrje të Pazarit të Ri deri në orën 20.00 në mbrëmje me shumë aktivitete interesante dedikuar vajit të ullirit,  kulinarisë e traditës shqiptare.

Për më shumë informacion mund të kërkoni në Revistën Shije, reportazhin e realizuar nga gazetarët e redaksisë, me titull: Reportazh/ Një udhëtim në fabrikën e vajit “Subashi”

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit​