Stili vegan i jetesës jo vetëm në ushqyerje, por edhe në veshje (mospërdorimi i veshjeve nga lëkurët e kafshëve) po përqafohet nga gjithnjë e më shumë njerëz. Të jesh vegan është një zgjedhje që rregullon regjimin ushqimor duke eliminuar të gjitha derivatet e produkteve shtazore (përfshirë dhe vezët e qumështin), por rregullon gjithashtu edhe gardërobën (lejon vetëm ekopeliçet dhe materialet sintetike). Disa ditë më parë ju prezantuam yjet e Hollivudit që kanë përqafuar kultin e veganizmit, ndërsa sot do t’ju prezantojmë me disa personazhe  shqiptarë që ndjekin një regjim dhe një stil të tillë jetese.

1. Saimir Kodra ka disa kohë që ndjek një regjim ushqimor të stilit vegan. Nga pasioni i madh për gjuetinë e për ëmbëlsirat, për Saimirin nuk ka qenë i lehtë ky kalim. Megjithatë, pasojat e këtij stili jetese reflektohen shumë  mirë tek Saimiri, i cili jo vetëm ka hequr kilet e tepërta, por duket shumë elegant.

2. Me largimin nga Shqipëria, Aurela Hoxha ka vendosur të bëjë disa ndryshime në jetën e saj, midis të cilave edhe  në mënyrën e të ushqyerit apo stilin e të jetuarit. Aurela tani është vegane dhe vaktet e saj tani përbëhen nga sallatat, frutat, smoothiet e lëngjet frulato.

3. Ish-miss Shqipëria Niki Deliorgji, prej më shumë se dy vitesh i është bashkuar familjes së veganëve. Por si e mori ajo këtë vendim? Vendosa me datë 26 mars 2016-të. Dy muaj përpara kisha parë një postim për veganizmin dhe u ndjeva pak fajtore. Gjithsesi vazhdoja duke ngrënë mish, por më pas kalova një fazë mërzie për disa ditë. Një mbrëmje hyra në Youtube dhe kërkova për video që tregonin se si i vrisnin kafshët dhe si merrnin nënproduktet e tyre. E kam parë gjithë natën dhe ditën tjetër vendosa të bëhem vegane. Që ditën e parë pas vendimit, e prisha me një akullore, por gjithsesi ideja vazhdoi. Nëse fokusohesh tek viktima (kafsha) më shumë se tek vetja, atëherë gjithçka është më e thjeshtë., ka thënë ajo në një intervistë për Anabel.al.

4. Prej më shumë se një viti këtë vendim e ka marrë edhe këngëtarja Morena Taraku. Përmes disa postimeve në Instagram ajo përpiqej të ndërgjegjësonte ndjekësit e saj se planeti i tokës është i barabartë për të gjithë andaj edhe kafshët kanë të drejtat e njejta sikurse njerëzit. Derisa një ditë ‘bam’...na njoftoi përmes një postimi se do të bëhej vegane njëherë e mirë.

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit