Iliriana, që të gjithë e njohim si kostumografe të talentuar në Top Channel na pret te dera e shtëpisë, por kësaj here në rolin e amvisës. Është një shtëpi e ngrohtë, gjithë gjallëri. Më së shumti harmonia vjen nga Rroni, dy-vjeçar, që me çapkënllëqet e tij të çon për një moment te aventurat e Tom Sojerit. Pikërisht mes një atmosfere të tillë të bukur, e zonja e shtëpisë na qeras me pijen më të veçantë që i gjendet, raki arre. Epo jemi shqiptarë dhe një gllënjkë edhe mund ta provojmë. Për më tepër që është një raki kaq e veçantë, sa na lë mbresa. Altini, regjisori i “Portokallisë”, na tregon historinë e rakisë dhe vendin ku e kanë blerë. “Kjo është pija e preferuar, për momentin, e Ilirianës”, thotë ai. E shoqja e aprovon me kokë dhe kështu nga pija, biseda shkon natyrshëm drejt ushqimit dhe gatimit. Lidhja me kënaqësinë apo domosdoshmërinë e të gatuarit për familjen Basha ka lindur atëherë kur çifti filloi të jetonte bashkë.

“Mua më pëlqen të shijoj, pastaj gatimi është një lloj pasioni. Është qejf të përgatisësh diçka të shijshme. Pjata e parë që do të kem gatuar, me siguri, do të ketë qenë makarona, pasi janë më të lehtat për tu përgatitur ”, na thotë Altini. Pastaj në familjen e tyre detyrat e gatimit janë të ndara. Regjisori ka specialitetet e detit, ndërsa Iliriana eksperimenton me kuzhina të ndryshme. “Por nuk kam ndonjë mënyrë të veçantë, përgjithësisht më pëlqen që peshkun ta bëj në tavë me perime”, thotë Altini. “E veçanta besoj se qëndron në llojin e peshkut që kam dëshirë të provoj. Burimin dhe frymëzimin e gjej tek recetat që provoj diku apo që shoh në televizor. I bëj në shtëpi dhe nëse më pëlqen si dalin, i bëj edhe herë të tjera”.

Ama një gjë është e sigurtë: Në familjen Basha nuk ka një shef kuzhine, por dy. Me merita dhe vlerësime të njëjta. Iliriana shkëlqen në recetat e veçanta dhe impenjative ndërsa Altini në recetat e thjeshta dhe të shpejta. Pak për t'u çuditur për një regjisor të impenjuar si ai, por kot nuk thonë se edhe kuzhina është çështje pasioni.

“Kuzhina nuk ka të bëjë vetëm me gatimin, është një ritual i tërë. Mënyra sesi i blen, si i kërkon produktet që të duhen për të gatuar, më duket shumë argëtuese. Pastaj puna finalizohet me recetën e bërë”, rrëfen Altin Basha. Prandaj ai nuk është ankuar kurrë për gatimin, madje edhe kur në fillimet e saj, Iliriana nuk dilte si duhet me recetën. As atëherë ai nuk i bënte naze pjatës. I vjen keq vetëm se dikur në familjen e tyre gjendej më shumë kohë dhe gatuhej më shumë ndërsa tani, për shkak të punës dhe rutinës së përditshme, më pak. Ama e sigurta dhe e pandryshueshmja është se në familjen e tyre gatuhet gjithmonë me qejf. Me modesti, regjisori tregon se sidoqoftë nuk është një shembull i mirëfilltë për t'u ndjekur në kuzhinë. “Unë nuk sfidoj askënd. Të tjerët mund të marrin eksperiencë nga mënyra sesi unë shijoj, apo mënyrën praktike sesi i përgatis pjatat”.

Iliriana: I kam bërë të gjitha gabimet në kuzhinë

Ajo është kostumografe e talentuar, por fillimet e saj në kuzhinë nuk kanë qenë njësoj të suksesshme si në profesion. Një herë e një kohë Iliriana nuk dinte asgjë rreth kuzhinës dhe po të mos kishte qenë Altini, bashkëshorti i saj, për ta inkurajuar, ndoshta nuk do ta kishte prekur kurrë me dorë tiganin. Duke i dhënë çdo ditë e më shumë kurajo, Iliriana jo vetëm që përmirësoi dorën, por arriti deri aty sa të eksperimentonte me kuzhina të ndryshme. Me këto detaje të vërteta e të bukura jetësore e nis rrëfimin rreth rrugës së gatimit Iliriana Basha.

“Nuk ka gabim që nuk e kam bërë për herë të parë në kuzhinë”, thotë ajo. “Të gjitha. Makarona shumë të ziera, bukë e pjekur shumë, gati e djegur... Por askush nuk ka lindur i ditur dhe duke pasur vullnetin, dëshirën dhe dashurinë, mund t’ia dalësh”, thotë kostumografja.

Por, tani që ka mësuar, a e bën kuzhinën për pasion apo e sheh si domosdoshmëri? “Të dyja bashkë”, thotë ajo. “Për shembull, kur ka receta interesante që dua t’i provoj për herë të parë, i bëj me pasion. Herën tjetër hyn në lojë edhe domosdoshmëria. Sepse gjithçka do kohë, orë të tëra, të cilat unë nuk i kam.

Iliriana ama nuk bën hile për t’ia hedhur me një recetë të lehtë. Atë çfarë preferojnë familjarët e saj, e përgatit pa u lodhur. Kështu që, jo vetëm  u realizon dëshirën, por familja ka edhe drekën e dëshiruar gati. “As nëna ime nuk ishte ndonjë kuzhiniere e përsosur”, shton ajo. “Ndërsa gjyshja ishte e shkëlqyer”. Prej saj Iliriana ka trashëguar edhe të qenit vegjetariane, gjë që i ka krijuar jo pak vështirësi në fillimet e saj në kuzhinë.

“Recetat që unë nuk gaboj kurrë janë: buka indiane që quhet nan, leqenik, e cila është bukë me miell misri, djathë e susam - bëhet shpejt dhe del shumë e mirë - lakra apo japrakë e shumë gatime të tjera. Thënë më saktë, te recetat tradicionale nuk dështoj kurrë. Por nuk e bëj dot hallvën si Altini ama. Këtë ai e bën të shkëlqyer”, na tregon Iliriana.

Ëmbëlsirat janë një tjetër fushë që Iliriana shkëlqen, por së fundmi nuk i gatuan më. “Jemi një familje e shëndetshme, siç e shihni, prandaj e kam evituar gatimin e ëmbëlsirave edhe pse me dhimbje”, thotë ajo ndërsa tregon se i pëlqen shumë kuzhina e huaj, por e gatuar në shtëpi. ”Kuzhina indiane më pëlqen shumë, kuzhina kineze po ashtu. Edhe kuzhina libaneze më pëlqen, më duket shumë e shijshme. Kjo kuzhinë ka shumë erëza dhe shumë detaje të vogla shumë të shijshme”.