Mund të themi se momenti më deciziv i një sistemi që prodhon verë është formulimi i etiketës me të cilën një shishe e caktuar do të prezantohet në treg. Nëse vera flet gjatë shijësimit apo degustimit të saj, në fakt etiketa flet shumë gjatë përzgjedhjes së saj.

Shumica e konsumatorëve iu referohen përqindjes së alkoolit, varietetit dhe vendit të prodhuar, që përfshin një informacion të kufizuar ndaj të gjithë asaj ç’ka është e shkruar.

Këto rreshta do iu përkthejnë termat e përdorur në një etiketë të ngjitur pas një shishe vere:

Wine of/Product of i referohet vendit në të cilën është prodhuar kjo verë. Zakonisht kantinat shqiptare preferojnë të përdorin termin produkt shqiptar.

Viti do të tregojë vitin që vera është bërë. Sa më i largët të jetë ky vit, aq më shumë është vjetruar kjo verë. Rrjedhimisht do të keni në duar një verë me shije dhe aroma më të definuara.

Emri i kantinës është i vendosur në etiketën kryesore, me shkrim lehtësisht të dallueshëm dhe pasohet nga varieteti i rrushit të përdorur për të prodhuar këtë verë. Mund të jetë një varietet i vetëm, por edhe në rastet kur kemi të bëjmë me kombinim varietetesh ato janë të shkruara në etiketën dytësore.

Rajoni/Territori është i shkruar kryesisht në etiketat e kantinave të mëdha, të cilat posedojnë sipërfaqe të mëdha mbjellur me vreshta, pozicionuar në rajone ku prodhimi i verës është traditë.

Përmbajtja Neto është një numër i njohur për ata që konsumojnë rregullisht verë sepse për një shishe standarte ky numër është 750ml.

Reserve tregon se ju po blini një shishe të përzgjedhur pēr nga cilësia e mirë për të shkuar në një vjetrim të shkurtër 2-4 vite.

Contains sulfites/Përmban sulfite është tregues se gjatë prodhimit të verës procesi ka pasur nevojë për sulfitim. Përmbajtja me sulfite nuk shkakton dhimbje koke, por mund të jetë shkaktar i astmës.

Alcohol content/Përqindja e alkoolit shpreh volumin e alkoolit në pērqindje dhe nuk është vetëm tregues i saj. Ky volum tregon edhe origjinën e verës. Zakonisht vendet europiane ku janë pozicionuar dhe verëprodhuesit më të vjetër prodhojnë verë me përqindje më të ulët alkooli në krahasim me vendet e reja verëprodhuese ku përqindja e alkoolit shkon mbi 17% Alc.

Estate bottled tregonse kultivimi i vreshtave si proces deri në proceset e prodhimit dhe ambalazhimit të saj janë kryer në të njëjtin vend.

Këto të dhëna mund të jenë të shpërndara dhe në etiketën që ndodhet pas shishes. Kjo etiketë dytësore ka informacion mbi karakteristikat më të dallueshme organoleptike të verës, mënyrat e kombinimit me ushqime dhe temperaturën ideale për tu servirur.

 

Përgatitur nga Marjeta Istrefi – Enologe

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit