Gjendemi në Fishtë të Zadrimës, në restorantin “Mrizi i zanave”, i njohur tashmë për gatimin e recetave të traditës shqiptare, që për shumëkënd janë të panjohura. 
Gjysma e emrit (Mrizi) ka një kuptim të drejtpërdrejtë intuitiv, një shprehje që ngjan me fjalën e parë belbëzuese të një fëmije, por në fakt përfaqëson edhe më shumë se kaq, një emër të dialektit verior që do të thotë: “të pushosh në drekë”. Kështu zgjedh ta përfaqësojë idenë e tij Altin Prenga. Ndërsa gjysma e dytë, (zanave) nuk mund të mos perceptohet lehtësisht. Prej mitologjisë, nënkupton diçka të shenjtë, personazhe të kulturës tonë folklorike; ç`ka në vetvete mund të sjellë këtë kuptim: të pushosh në vendin e të “shejntëve”.
Kjo ide na vërvitej në kokë në ato çaste, teksa prisnim të takoheshim me Altinin, ideatorin e restorantit.

Jemi ulur pranë dritares së madhe, në një tryezë të shtruar me një mbulesë me motive të zonës së Zadrimës, një kompozim që harmonizohet mjaft mirë me elementet e tjerë tradicionalë të ambientit. Ngjyra gri e murit (prej guri) me trarët e kafenjtë, e bardha e perdeve me dekoracionin përreth, krijojnë një gjendje të paqtë. Është e vështirë që të jesh, e sytë të mos fiksohen tek trarët transversalë, gurët e hijshëm apo tek tavani i drunjtë, që as bora e dimrit dhe as era e fortë e fushës së Zadrimës, nuk kanë arritur ta përkulin.
Në këtë restorant, ku gatitet e veçanta e humusit shqiptar, është mirë të thuhet se nëpërmjet traditës vazhdon të lexohet aktualja dhe aktualja nëpërmjet traditës. Ata që interesohen për ushqimet shqiptare do të gjejnë aty fantazinë e dikurshme të gjysheve, me gjithë thjeshtësinë e tyre “naive”. Këto receta të veçanta, që herë janë shenjë kulinarie, e herë janë shenjë emancipimi, Altin Prenga vazhdon t’i gjurmojë në të gjitha anët...
Në pritje të tij, gjithë panorama nuk mund të mos lërë mbresa. Nuk vonon shumë dhe para nesh shfaqet një djalë i gjatë, i veshur me rroba të errëta, që hedh vështrimin sa majtas-djathtas, për të identifikuar miqtë që kanë ardhur nga Tirana. Një vështrim i tillë gjithpërfshirës mund të ishte edhe për klientët dhe mbarëvajtjen e restorantit! Altini vjen ngadalë, na përshëndet dhe teksa ulet e ka të pamundur të mos e përhumbë shikimin nëpër tryezat e shumta.
Në sfond, muzika shqiptare e viteve të para 90-ës, ka marrë të gjithë hapësirën e mundshme. Si rrjedhojë, edhe biseda jonë nis për vlerat e humusit shqiptar. Jo vetëm për këngën, por edhe për specifikat e veçanta të krahinave të ndryshme. “Eshtë e nevojshme të përmend një ushqim tradicional verior, që në këtë 100- vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, merr më tepër vlerë. Koraniku është një ushqim i traditës që është bërë shumë vite më parë në të gjithë pjesën veriore të Shqipërisë. Për arsye se ai përgatitej me gjakun e kafshës, morri konotacione të ndryshme për nga ideja fetare”- tregon ai.
Si lindi ideja për një restorant në Fishtë të Zadrimës? Përgjigjja e Altinit, ndoshta nuk është ajo që do të prisnin shumë kureshtarë: “Shqiptarët janë konsumatorë perëndimorë, kanë makina europiane, veshin produkte të tilla dhe për më tepër si në të gjithë Europën edhe në Shqipëri, agroturizmi është mbizotërues”- na tregon.             

Altin Prenga është pjesë e levizjes globale “Slow Food”, ç`ka nënkupton se rrënjët mbi territorin dhe vlerësimi i prodhimeve tipike lokale, janë karakteristikat e vërteta të levizjes. Objektivat e kësaj lëvizjeje mbështeten tek rritja e ndërgjegjes së konsumatorit dhe aftësia e tij për të dalluar më të mirën, për të favorizuar një turizëm më të vëmendshëm dhe të respektueshëm ndaj ambientit. Gjithashtu në fokus të misionit është edhe promovimi i një prodhimi gastronomik me cilësi, ruajtja e punimeve artizanale apo varieteteve bimore dhe shtazore që rrezikojnë të zhduken, me qëllim edukimin e të shijuarit kundër njësimit ushqimor dhe kulturor, gjithnjë e më të përhapur.
Pas shpjegimeve mbi lëvizjen në të cilën Altini aderon prej kohësh, biseda kthehet kah vlerat e ushqimeve që sapo janë porositur në tryezën tonë. Lulet e kungulleshës bëhen pjesë e diskutimit jo vetëm për vlerat që kanë, por sipas Altinit edhe për ndërtimin e veçantë biologjik të tyre. “Në qoftë se i këput lulet dhe nuk i lejon që të takohen njëra me tjetrën, ato nuk “vdesin”, ose përndryshe nëse bashkohen dhe ia arrijnë qëllimit, ato e përfundojnë misionin e tyre dhe çelin. Pra, për të qenë vital, duhet të jesh i pamartuar”- na tregon teksa nis të buzëqeshë. Vështrimi, po si më parë: herë majtas e herë djathtas.
Në bisedë e sipër, Altini na jep përshtypjen e një djali të thjeshtë, plot sinqeritet dhe me shumë  dëshirë për të shkëmbyer ide. Teksa e dëgjojmë të flasë me aq pasion mbi traditën, në mendje na vërvitet një shprehje e famshme izraelite: “Paraja nuk mbin në pemë”.
“Mrizi i zanave” nuk është një restorant i shtrenjtë tradite. Për më tepër, sipas tij, duhet të jetë i mirë, i pastër dhe i drejtë. Në këtë temë, Altin Prenga merr një qëndrim stoik, të palëkundur dhe plot vendosmëri. “Kur them i drejtë kam parasysh mendimin që nuk është mirë të shkosh në një restorant e të hash drekë për treqind euro. Kjo është ofezë! Ushqimi, përveçse shije është edhe domosdoshmëri”- thotë ai.
“Traditë, traditë, traditë”… Ky është refreni i bisedës me Altinin. Kjo fjalë, kumbon në të gjithë hapësirën duke u shpërndarë lehtazi, pikërisht ashtu si shtëllungat e duhanit. Dhe për të justifikuar idenë e tij, ai i referohet një shembulli të pakundërshtueshëm: Rene Rexhepit, danezit me origjinë shqiptare. Altini këmbëngul se një investim i tillë, plot ide, shije dhe art është shembulli më perfekt për t’i treguar një vendi se cila është rruga e duhur. Sipas tij, çmimi si top-restoranti më i mirë i vitit, për disa herë radhazi, i dha Rexhepit një famë ndërkombëtare. Për Danimarkën rezultoi një rritje prej 10% të prodhimit të brendshëm. Pse? Restoranti i Rexhepit rriti besimin tek produktet daneze, rriti vetbesimin, krenarinë, gjithashtu ftoi turistët e huaj aty, për të gjetur djathin danez dhe jo atë italian.
Pas një bisede të tillë, i kërkojmë Altinit të na ofrojë një ushqim të veçantë të traditës shqiptare. Ai mendohet për pak çaste. Një heshtje po nderej pezull mes nesh. Por akulli thyhet shpejt… E nxisim Altinin që të shkojë të veshë rrobat e kuzhinës dhe të na përgatisë diçka të veçantë. Dhe para se të ngrihet, ai ka një shpjegim të fundit.
Na thotë se tradita nuk është asgjë tjetër veçse një novacion i suksesshëm. Mbi këtë parim, ai ideoi “Mrizin e zanave”, një aktivitet që duhet të gjejë veten në natyrë. Vlerësimi i territorit me traditat dhe zakonet kulturore të të ushqyerit është motoja e tij.
Altini na pyet nëse kemi dëgjuar për makaronën e parë shqiptare. Pas kësaj pyetjeje, na gjen të hutuar. Ne nuk ishim në dijeni të një makarone shqiptare dhe për më tepër, ta gjenim atë në Fishtë, këtë nuk e kishim menduar! Por siç thotë populli: “sa të rrosh, do të mësosh”.
Për të parën herë mësuam se makarona e parë shqiptare është “Dromësa”. Altini na thotë se recetën e ka gjetur të ruajtur për shumë vite tek arbëreshët e Italisë. “Eshtë ruajtur shkëlqyeshëm për shekuj me radhë. Mua, ata më duken shpesh herë si “konservues” etnokulturorë mjaft të mirë”- na tregon ai. Është një ushqim i thjeshtë, me pak përbërës. Pikërisht ashtu siç thotë një logo përpara syve tanë, e varur në murin e restorantit: “Ushqim me zero kilometra”. Edhe pse në pamje të parë me shumë kalori, për Altin Prengën “Dromësa” nuk paraqet rrezik në këtë drejtim. Për këtë ai e ka një shpjegim: “Kur produkti është origjinal dhe me shije, ai patjetër është edhe dietik. Pavarësisht se zotëron një sasi të madhe kolesteroli, të jep shije dhe të ngop, ndërsa një ushqim pa shije dhe jo me bazë natyrale, aspak origjinal, mund të konsumohet në sasi të mëdha pa të të ngopur”- arsyeton ai.

“Dromësa” mund të konsumohet si pjatë e parë. “Nëse e përzien me domate, ke gjithë të drejtën ta konsiderosh atë një pjatë shqiptare, pasi domatja në Itali, në vitin 1700, ka ardhur nga Amerika. Pse të mos e bësh me speca dhe domate, me mishavinë, me kërpurdha stine dhe ta servirësh plot shije me elemente të tjerë të kohës, pak a shumë në përpjekje të vazhdueshme për t`iu përshtatur asaj”?!

Është e vështirë të kuptosh recetat e pasionit! Po aq e vështirë sa të kuptosh ambiciet e tij. Edhe pse ka dëshirë ta quajë veten një “fshatar i pasionuar ndaj recetave të traditës shqiptare”, Altini ka ende për të thënë dhe mbi të gjitha ka shumë për të bërë. Vitin që vjen, “Mrizi i zanave” do të ketë një meny krejtësisht shqiptare, shumë shpejt një kantinë vere dhe mbi të gjitha një humus kulinar shqiptar.

Altini nuk gatuan vetëm thjesht receta të mira, por më tepër se kaq. Ai flet me shumë pasion për kulinarinë shqiptare.  E kjo kulinari mund ta ngrejë aq lart, aq sa ai do të dëshirojë… Shumica e njerëzve të këtij kalibri, nëse arrijnë të ruajnë shëndetin, nuk kanë asnjë kufi. Asnjë!