Asaj i është dashur të gatuajë vazhdimisht. Duke e konsideruar veten nënë të tre burrave (dy djemtë dhe bashkëshorti), Arjana i ka bërë gjithnjë të dyja: edhe punën, edhe amvisën. Por si ia bënte në ato vite të vështira të jetës së saj, kur e dërguan për të jetuar në Mirditë? Zbulojeni në këtë rrëfim

Nga Saimir Muzhaka

Ndërsa kthehet pas në histori, në ato kohëra të vështira, ku të gatuaje një recetë me gjithë përbërësit që kërkonte ishte një luks, ajo nuk ngurron të tregojë vështirësitë e panumërta. Arjana Qatipi, si pjesa më e madhe e moshatareve të saj, u martua në moshë të vogël. Ishte vetëm 22 vjeçe kur i ra për pjesë të merrte frerët e kuzhinës e të gatuante për gjithë shtëpinë. Por mosha do të ishte problemi më i vogël, nëse s’do të ishte edhe për skamjen e madhe që kishte pushtuar gjithë vendin. Po flasim për ato vite kur ushqimet ishin të kufizuara, në gjithë Shqipërinë. Por nëse i shton kësaj edhe situatën e vështirë që gjendej në Mirditë, ku Arjana u detyrua të jetonte për 13 vite me radhë, atëherë ky rrëfim do të kuptohet lehtësisht. Asaj i ra për pjesë të jetonte në zonat e thella të Mirditës, në zonën e Kurbneshit, në fshatin Perlat-Qendër, në një kohë kur edhe Tirana vuante, imagjinoni pastaj se ç’ndodhte në këto zona. Mungonin produktet bazë të ushqyerjes. “Duhet të kishe miq që të siguroje bukën e grurit. Duhet të ngriheshe që në orën 4 e 30 të mëngjesit për të mbajtur radhën e qumështit. Po kështu duhet të mbaje radhë edhe për 2 pako gjalpë 37-she (lekëshe). Mezi i siguroje 10 kokrra vezë dhe mishin e gjeje më së shumti me kocka. Qe një periudhë kur edhe patatet mungonin e për fruta s’bëhej fjalë fare. Mbaj mend që në datën 5 Maj, me rastin e festës së dëshmorëve, mund të gjeje ndonjë frut, por edhe në atë ditë të parët që i siguronin ishin familjet e dëshmorëve”. Problemet dhe hallet e asaj kohe sot mund të tingëllojnë qesharake. Por kush i ka mbajtur mbi supe i njeh fare mirë. Gjithsesi fati me një dorë të merr, ndërsa me tjetrën të jep. Arjana pati fatin e madh të ndihmohej shpesh nga e ëma. Nga Tirana, ajo i dërgonte të bijës në Mirditë mishin, spinaqin, sallatën dhe ndonjë produkt tjetër. Ishin ato ditë të lumtura kur Arjana i futej punës për të gatuar një recetë ndryshe për familjen. Dhe dhimbja bëhej kësisoj më e vogël. Por edhe pse vështirësitë ishin sfilitëse, nuk mund të thuhet kurrsesi se në atë kohë nuk shijohej. Madje në disa raste, zonjat nikoqire përgatisnin disa receta për të cilat sot shumëkush mund të ketë nostalgji. “Kur nuk ke, edhe fantazia të cenohet, megjithatë përpiqeshim. Dhe ishin ato raste kur gatuanim kekun special, me arrat që përgjithësisht i gjenim në atë zonë. Bënim një byrek me hithra, që ç’të haje! Sajonim receta me fasulet e kuqe apo mishin e derrit. Bënim tavën e kosit, që për mendimin tim, ishte pjata jonë më e shijshme”,- u kthehet edhe njëherë Arjana kohëve të shkuara, atëherë kur më shumë sesa për veten, mendoje për fëmijët e vegjël dhe për ushqyerjen e tyre. Por telashet nuk mbarojnë me kaq. Historitë e asaj kohe, nuk mund të shmangen pa disa detaje interesante…

 

Kur kopjoheshin recetat

Kush i ka jetuar ato kohëra, e di fare mirë se çdo të thotë të kopjosh recetat e gatimit. Ishin kohëra kur amvisat përpiqeshin me ç’të mundnin për të mësuar një recetë të re, që do ta bënte familjen të shijonte një pjatë ndryshe. Edhe Arjana Qatipi nuk bën përjashtim nga ky “rregull”. Në kohën kur librat e kuzhinës mungonin, ajo përpiqej t’i siguronte recetat më rrugë të tjera. “Kishte nga ata që i përkthenin nga revista të huaja apo që vinin nga jashtë shtetit dhe na i tregonin verbalisht. Në të gjitha rastet i shkruanim nëpër copëza letrash. Kam qenë shumë e lidhur me recetat, aq sa sot në shtëpinë time mund të gjenden mbi 10 libra kuzhine. Ose shpesh futem në internet dhe printoj ndonjë recetë të shijshme”. Arjana na tregon se është një fanse e madhe edhe e emisioneve të gatimit. Vite më parë i ndiqte këto emisione tek stacionet gjermane, ndërsa sot edhe në kanalet televizive shqiptare. Ndërsa në kohën e diktaturës, emisione të tilla as që mund t’i ëndërroje!

 

Gatimi me naftë

Meqenëse mamaja e Arjanës është jugosllave, disa privilegje të vogla asaj nuk i kanë munguar. Për shembull, kur bëhet fjalë për enët e kuzhinës, që në atë kohë mungonin. Ndryshe nga sot, kur thuajse çdo shtëpi i ka setet e nevojshme për një servirje normale dhe enët e duhura për gatimin, asokohe nuk kishe ku të gatuaje. Dhe e ëma e ndihmonte Arjanën duke i sjellë ndonjë enë që ajo e përdorte më pas me kujdesin më të madh. Gatuhej me dru, që ndonjëherë mungonte edhe në mes të dimrit. Ndërsa në Mirditë mungonte edhe vajguri. “I kërkonim autobusëve të linjës naftë dhe e përdornim në vend të vajgurit. E vetëm kur të shikoje tymin që ngrihej deri në qiell. Eh, ç’kohëra! S’të ikte e nxira për gati një javë. Mbaj mend që në vend të fitilave merrnim kanotiere të vjetra dhe përpiqeshim t’i sajonim. Një tmerr i vërtetë! Zienim gjellën me naftë. E të mendosh që shpesh gatuhej edhe në banjë. E lëre pastaj kur mendon që banja është krijuar për tjetër funksion”,- tregon Arjana duke buzëqeshur. Vetëm kur i dëgjon këto histori, kupton fare mirë se shpesh tragjikja është fare pranë komikes…

 

Veshje të bëra vetë

Dyqanet e stofave apo pëlhurave kanë qenë më të frekuentuara në ato vite. Zgjidhej copa në metrazh dhe qepej në shtëpi. Sajoheshin çarçafë, mbulesa por edhe  veshjet. Kush i ka jetuar ato vite, e njeh shumë mirë këtë situatë. Edhe Arjana Qatipi mësonte të qepte vetë. “Kam qenë shumë qejflie veshjesh dhe rrobat e mia i qepja vetë në makinë”,- tregon për ato kohëra Arjana për të theksuar që nuk mungonin vetëm ushqimet. Ndaj të qeverisje shtëpinë në ato vite, nuk ishte aspak si sot!

Revista Shije, shtator 2013

Intervistoi: Saimir Muzhaka

Fotografia: Manila Harizi