A ka më mirë se të përgatiturit ushqimet vetë në kushte shtëpie? Këtë herë radhën e ka uthulla e mollës, teknikën e përgatitjes të së cilës kujdeset Shije t'jua japë...

Përbërësit:

  • për 10 litra uthull ju duhen 15 kg mollë (në varietetin e preferuar)

Përgatitja:

  • Për përgatitjen e uthullës së mollës nevojitet një enë e madhe prej druri ose qelqi e mbyllur dhe me rubinet (ideale për fermentimin) dhe një centrifugë (për këtë të fundit mund të përshtatet një shtrydhëse frutash). 
  • Për të përftuar një litër uthull lipset së paku 1.5 kg mollë. 
  • Lajini mollët, më mirë me ujë me sodë buke. Pritini në copa sa më të vogla dhe vërini në centrifugë (shtrydhëse frutash) që të nxirret lëngu.
  • Filtrojeni lëngun. Futeni në enën e mbyllur me rubinet dhe e mbyllni me tapë.
  • Mbyllja duhet të jetë hermetike sepse oksigjeni është i rëndësishëm që të acidifikojë uthullën që presim të marrim. Enën lëreni të pushojë në një vend të errët dhe të freskët ku nuk do të ketë ndryshime temperature. 
  • Derisa të fermentohet dhe acidifikohet duhet të kalojnë disa muaj. Zakonisht duhet një vit i plotë kalendarik prandaj është mirë që të llogarisni sasinë e uthullës që ju nevojitet për një vit të plotë.

Një këshillë më shumë:

Gjatë ditëve të para, hapeni pak rubinetin dhe fusni në një gotë të pikojnë disa centimetra lëng. Lëreni jashtë gjysmë ore në mënyrë që të marrë pak oksigjen. Pastaj rifuteni sërish në enë. 

 

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit