Ditë pas dite, pasioni për shijen e mirë, produktet cilësore dhe dedikimin ndaj klientit u rrit  duke e shndërruar në vijim në një shtëpi të re, më të madhe, më të bukur dhe me më shumë hapësira. Kështu, si me magji, nga një bar i vogël, Çoko u kthye në një Bistro të bukur e të vërtetë.
Shumë elementë kanë mbetur të njëjtë në Çoko-n e re, ku ende vihet re i njëjti stil paksa vintage, pak francez e pak modern aty-këtu. Madje një pjesëz e Çoko-s së vjetër është ruajtur në mënyrë identike për tu treguar apo rikujtuar klientëve që ajo frymë është ende prezente. Dhe në fakt ajo frymë është ende aty. Gjithçka është e ndërtuar dhe servirur me të njëjtin kujdes e vëmendje ndaj detajeve që nga design-i e deri tek servirjet e pijeve apo pjatave dhe gjithçka tjetër e ndërmjetme.

 

Bistro

Bistro është një formulë franceze restoracioni që bashkon në një vend elementet e restorantit me ato të barit. Në një bistro, ndryshe nga një restorant, mund të gjesh pjata të kuzhinave apo prejardhjeve të ndryshme, ëmbëlsira dhe shumëllojshmëri pijesh të ngrohta ose jo, alkoolike ose jo. Është si të thuash, pika e takimit midis një restoranti dhe një bari, ku në çdo orë të ditës dhe me këdo, mund të hash e të pish diçka.
Nga ana tjetër një Bistro, edhe pse më pak formal se një restorant, ka nevojë për të njëjtin dedikim ndaj dhe ka domosdoshmëri për një kuzhinë dinamike dhe për një chef kuzhine profesionist, i cili mund të kuptojë, ideojë dhe ekzekutojë pjata nga më të ndryshmet.
Në këto kushte u krijua edhe pika e takimit midis Çoko-s me Chef Bledar Koçibelli.

 

Shef Bledi

Bledi ka studiuar në Greqi për kulinari. Siç tregon ai, kuzhina ishte një pasion që ai e gjeti rrugës teksa punonte në një restorant të vogël pranë Selanikut. Aty ai e gjeti veten aq mirë, sa vendosi të ndjekë këtë rrugë të vështirë.
Të bëhesh shef kuzhine kërkon shumë punë, përkushtim, lodhje fizike, nerva të forta për të përballuar presionin dhe shumë kreativitet. Por nëse arrin t’i gërshetosh të gjitha këto, rezultati ndihet, është ai që gjejmë në shijen e pjatës së bërë me shumë dashuri.
Kështu në mënyrë shumë spontane, rrugët u bashkuan dhe Bledi rroku vizionin e një bistroje moderne duke sjellë disa pjata tejet të veçanta. Për krijimin e menusë janë përdorur përbërës të veçantë, teknika nga më të ndryshmet, klasike apo moderne, dhe llojet e pjatave që ofrohen vijnë nga e gjithë bota. Në humusin e një prej antipastave gjejmë Izraelin, në Pulën Teryjaki gjejmë Japoninë, në salcën Guacamole gjejmë Meksikën e sigurisht në fileton klasike të viçit, Francën ashtu sikurse në pjatat e para, Italinë. Një miks kuzhinash e shijesh, një miks idesh, pasioni e dëshire për të bërë diçka ndryshe, diçka të shijshme që është krijuar e tillë pa kompromise.