Ha të keqen nana thjerrëza, se rritesh…

– Si rritem moj nanë, ato janë të vogla sa thoi…

– Rritesh bir, se janë më të mira se grosha…

Dhe ja ku jemi sot, të rritur nga thjerrëzat, madje marrim vetë enët e kuzhinës në dorë dhe bëjmë supë me thjerrëza të kuqe, të cilën ua shesim kalamajve tanë për gjë a gjë. Por, ata nuk e hanë më këtë punën e rritjes, pasi të futen në internet dhe ta plasin në sy, se cilat janë vlerat ushqimore. Prandaj, janë zgjatur, janë bërë si zdapa, ngaqë i kanë nga prapësitë në tasin e thierzave, jo si ne të mbledhur në një grusht, por të lezetshëm.

* Kjo është një pjatë e shëndetshme, shumë e mirë si pjatë e parë, por edhe për në vaktin e darkës. Është e lehtë në përgatitje dhe nuk ka nevojë për më shumë se 30 minuta kohë. Kjo mund të jetë pjatë vegjetariane, por nëse dëshironi shije më të fortë mund të hidhni një copë mish gjelle ose 100 gramë pancetta.

Porcion për pesë persona

Përbërësit:

  • 1 fije presh i hollë ose gjysëm fije presh i plotë
  • Hudhër e njomë ose e thatë (dy thelpinj)
  • 1 fije qepë e njomë ose gjysëm kokërr qepë e bardhë
  • Selino (një fije)
  • Karotë (një copë e vogël)
  • Spec (një copë, i vogël)
  • Rozmarinë (një degë e vogël)
  • Spec djegës (një copë)
  • Kripë
  • Thjerrëza të kuqe (120 gramë)
  • Majdanoz (një tufë)
  • Vaj ulliri (120 gramë)
  • Djathtë parmigiano (100 gramë)
  • Bukë e bardhë (50 gramë)

Përgatitja:

  • Në një tenxhere, ku kemi ngrohur 100 gramë vaj ulliri hedhim preshin e prerë shumë hollë, hudhrën, qepën dhe specin djegës.
  • Pasi ato nisin të marrin një faqe të zbehtë shtojmë rozmarinën që e kemi prerë shumë të hollë me gjysëm hënë ose me thikë të madhe kuzhine. Më tej, i shtojmë karotën dhe selinonë të prera hollë. Hedhim kripën dhe herë-pas here e përziejmë me lugë druri.
  • Pas gati 10 minutash përzierje hedhim thjerrëzat e kuqe. I përziejmë bashkë pa ujë për dy-tre minuta. Pastaj shtojmë jo më shumë se dy gota ujë. I lëmë të ziejnë në zjarr të ngadaltë. Pasi e kemi lënë 15 minuta e fikim zjarrin dhe hedhim në tenxhere majdanozin e prerë hollë.
  • Ndërkohë marrim një tigan të vogël dhe hedhim pjesën e mbetur të vajit të ullirit. Copën e bukës e presim në kubikë të vegjël dhe e skuqim në vaj. Bukën më pas e hedhim në fundin e çdo pjate ku do të shërbejmë supën. Në pjata shërbejmë supën dhe mbi secilën prej tyre kalojmë djathë parmigiano.
  • Nëse do e bëni me mish viçi kripën duhet ta hidhni në fund, ndërsa këshillojmë që mishin ta prisni në copa të vogla që të ziejë shpejtë.

Receta e marrë nga: Rozmarina.al