Prej disa javësh omëleta e jugut, çmimet e kripura dhe shërbimet që ofrohen në vendin tonë janë kthyer në temën e ditës. Po ç'mund ta acaronte më tepër një gazetare që një pjesë të konsiderueshme të debateve në programet e saj ia ka kushtuar turizmit?

Omëleta jo! 

Rudina Xhunga në dritare.net i ka dedikuar një shkrim pushimeve 10 ditore në Antalia të Turqisë. Ndër të tjera gazetarja shkruan për kushtet e mensës që ngjanin as më shumë e as më pak me ato të mensës së konvikteve. Shkrimin e plotë e lexoni më poshtë: 

Kur lexoj këto çmimet e omëletave në Dhërmi, e kafes  në Durrës, më çudit që të  gjithë e shajnë Shqipërinë për çmime e shërbime e askush nuk thotë një fjalë për Turqinë që po bën namin.

Gënjejnë agjencitë, gënjejnë hotelet dhe ne shqiptarët gati jemi. Sikur dhe m.., po qe i huaj, është i mirë. Vendin tonë e bëjmë copë e s’kemi mëshirë për asnjë papërsosmëri.

Por ja ç’më ndodhi mua në Antalia. Dua ta ndaj historinë time në dritare.net, se mbase kush më lexon, nuk bën gabimet e mia, vitin që vjen. Shkova te agjencia më serioze shqiptare. Kështu thonë, për ‘Vas Tour’, se ka shumë vjet në treg, ndërsa këto çupëlinat ndërrohen çdo vit.

Shkova dhe kërkova resort me 5 yje dhe ja ku u gjet ‘Paloma Ocean Resort’, në Antalia. Epo i thuhej jo kësaj parajse, ndonëse çmimi qe i kripur. 2600 euro, dy veta, për 10 ditë.

Puna është që vilat qenë për Facebook. Se në fakt vila ime ishte kjo.

Dhomë e vjetër, milingona, mobilie te stërpërdorura, shërbim dhome që të plaste shpirtin, edhe me bakshish, se pa bakshish e pastronin në darkë. Dhe më e tmerrshmja, në 1 të natës, sikur hapej rubineti ujerave të zeza dhe aty nuk flihej me.

Ma ndërruan kur e kërkova, me çuan kat të dytë. Këtë herë pa milingona. Po era e m… në 1, na vizitonte prapë.

Mirë në dhome s’të rrihej, po ku të rrije. Restoranti me orar. Të haje me vrap, se mbaronte dhe mbyllej, si të ishte mensë konvikti. Dhe të mendosh që pushimet në Turqi, kaq janë, shkova në mensë, dola nga mensa, do iki në mensë, çfarë ka në mensë.

Etj, etj, po s’po vazhdoj se mërzitem të kujtoj çdo detaj që të prishte pushimet që aq janë të shkretat, ikin shpejt.

Dhe dritare.net, mos kujtoni se jam vetëm unë, i gënjyer.  Dhe sa të tjerë si unë, që nuk hapin gojë për Turqinë, a thua po shkojmë falas.Se vërtet çdo gjë është pa lekë, por pasi na kanë rrjepur në agjenci. Po sikur t’i harxhonim këto lekë në Shqipëri, a e dini sa më mirë do bëhej vendi ynë?

Turizmi, paratë e derdhura për të , në atdhe, na pasurojnë të gjithë. Paratë për Turqinë, vetëm agjencitë pasurojnë edhe turqit.

Enverin dhe Erdoganin, dmth.

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit