Kushtet hijeno-sanitare dhe kontrolli i furgonave që bëjnë furnizimin nëpër bar-restorante kanë qenë fokusi i AKU në aksionin e ndërmarrë në qarkun Vlorë. Temperaturat e larta të ditëve të fundit i bëjnë akoma më alarmante situata të tilla në bar-restorantet e vendit.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore. Për këtë arsye AKU ka nisur një tjetër aksion, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës por dhe më gjerë.

Konkretisht, trupat inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndaloi një furgon në qytetin e Sarandës me 40 kg qumësht të skaduar para 4 muajsh, 31 kuti me çaj sherebel të skaduara para një viti. Menjëherë u bë bllokimi i produkteve të skaduara dhe u mor masa administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë.

Gjithashtu, nga Drejtoria Rajonale AKU Vlorë ka nisur aksioni për kontrollin e të gjithë restoranteve që ushtrojnë aktivitetin në këtë qark. Konkretisht nga kontrolli i trupës inspektuese të DRAKU Vlorë rezultoi se subjekti me aktivitet bar restorant ushtronte aktivitetin e tij në mungesë të kushteve higjienosanitare.

Për shkeljet e konstatuara për subjektin u mor masa administrative me gjobë në vlerën 300.000 lekë.

Tolerancë zero ndaj çdo subjekti abuzues me sigurinë ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.